“Policia e EULEX-it asnjëherë nuk i përgjigjet thirrjeve të shqiptarëve kur sulmohen në veri, madje ata rrinë neutralë karshi aktiviteteve kriminale të cilat i bëjnë kriminelët serbë”.
Këto fakte i kanë denoncuar sot në një konferencë për shtyp përfaqësuesit e shqiptarëve të lagjeve veriore në Mitrovicë.
“Ka raste kur serbët në veri qëllojnë me armë dhe i rrahin shqiptarët. Ata pengojnë kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre dhe gjithë kjo bëhet në prani të EULEX-it, i cili nuk merr masa”, kanë thënë ata.
Përfaqësuesit kanë reaguar ndaj incidentit të fundit që ndodhi të enjten në hyrje të “Lagjes së Doktorëve”, në veri të Mitrovicës, ku siç denoncojnë ata, kriminelët serbë bllokuan rrugën duke sulmuar fizikisht disa banorë shqiptarë që ishin duke u kthyer në shtëpitë e tyre.
Nazmi Ismajli, përfaqësues i “Kroit të Vitakut”, ka thënë se në këtë sulm të organizuar nga kriminelët serbë, shqiptarët u detyruan të vetëmbrohen dhe arritën t’i shpëtonin konfliktit më të madh.
Sipas tij, në këtë rrugë që shpie për në fshatin Suhodoll, nga ura kryesore deri tek “Lagjia e Doktorëve”, vetëm gjatë dy muajve të fundit janë rrahur 7 shqiptarë nga grupe të ndryshme serbe dhe askush nuk është arrestuar.
“Këshilli Verior kërkon nga EULEX-i të mos zbatojë politika të njëanshme dhe diskriminuese, siç ishte bastisja dhe arrestimi i përfaqësuesit të lagjes ‘7 Shtatori’, Ergin Rexhepi, duke mos u bazuar në fakte dhe dëshmi”, theksoi Ismajli
Ai ka shtuar se Këshilli Verior i shqiptarëve këtë aksion të policisë e konsideron si presion të hapur ndaj atyre shqiptarëve të cilët kanë mbetur në veri.
Top Channel