Serbia kërkon nga Bashkimi Evropian të ndryshojë raportin e Këshillit të Evropës nëse sinqerisht duan që Serbia t’i bashkohet asaj.

Pas takimit me komisarin për zgjerim, Shtefan Fyle, presidenti serb Tomisllav Nikolic, ka thënë se me këtë akt BE-ja do të tregonte se është e përkushtuar ndaj neutralitetit të statusit të Kosovës.

Ndërkaq Fyle ka thënë se në këtë nuk ka asgjë të re, por bëhet fjalë për mos ndarje të Kosovës. Raporti i Këshillit të Evropës ka shkaktuar tension në Serbi dhe është deklaruar se bisedimet me Kosovën mund të rrezikohen. Ndërsa zyrtarë të qeverisë përfshirë dhe kryeministrin Ivica Dacic që ishte shprehur i pikëlluar, kanë thënë se ka pasur keqkuptime.

Megjithatë, analisti Dushan Janjic, thotë për Top Channel se befasi është vetëm për opinionin pasi në Serbi është përgatitur ideja se veriu do t’i takonte Serbisë.

Analisti Dushan Janjic shprehet: “Formula e kompromisit është se nuk ka bisedime për ndarje. Ky është edhe parimi i Kathrin Ashton. Është mirë që nuk ka hapësirë për të ngritur tensione nga Komisioni Evropian pasi kjo mund të ndikojë jo vetëm në Kosovë, por edhe Maqedoni e në Republikën Serbe të Bosnjës dhe janë ide tërësisht joreale dhe të panevojshme në këto moment.”

Ai thotë se Kosova e Serbia duhet të bisedojnë në mënyra më të qarta: “Ekziston një ide maksimaliste në Bruksel dhe Berlin që kësaj radhe bisedimet duhet të përfundojnë me një marrëveshje. Ka një tendencë në këto bisedime dhe  mendoj se ky është rreziku kryesor pasi Beogradi tani do të perpiqet të ndalojë zbatimin e marrëveshjes për kufinjtë. Nëse kjo ndodh atëherë çështja e veriut është e mbyllur, kurse tani ende mund të flitet për statuse të ndryshme.”

Idetë Perëndimore janë edhe në nisjen e procesit për të hapur zyra në Prishtinë e Beograd, por Serbia dëshiron që bisedimet të nisin duke fshirë memorien e ngjarjeve pas planit Marti Ahtisari.

Top Channel