Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaci i është drejtuar me një letër publike kryeministrit grek Andonis Samaras për të mësuar arsyet pse autoritetet kufitare nuk i kanë lëjuar atij të hyjë në terriorin grek.

Gjatë kthimit nga Ankaraja, ku mori pjesë në kongresin e partisë  së  Kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan, autoritetet greke i kanë mohuar Thacit të drejtën për të hyrë në Greqi me pretekstin se shoferi i tij nuk posedon “leje ndërkombëtare për drejtimin e makinës”.

Në letër Thaçi kujton kryeministrin grek se ai është kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, partisë më të madhe opozitare të shqiptarëve në Maqedoni dhe njëherazi deputet në Parlament. Më tej në letër kreu i PDSH-së, ka reaguar edhe ndaj provokimeve tjera të autoriteteve greke sic ishte rasti i gazetarit shqiptar Marin Mema dhe ndalesa që u bëhet çamëve për të vizituar vatrat e tyre.

“Z. Kryeministër, duke patur parasysh se qeveria Juaj shpall persona të padëshiruar gazetarin e një mediumi të fuqishëm shqiptar, nuk i lejon çamët që të vizitojnë  vatrat e tyre që sot gjenden nën shtetin Tuaj dhe shumë provokime tjera ndaj shqiptarëve, rasti im nuk është rast “i izoluar dhe i rastësishëm” por thjesht e ilustron qasjen armiqësore të qeverisë Tuaj karshi shqiptarëve”, thuhet mes tjerash në letër.

Sipas Thaçi, s’do mend që kjo qasje e qeverisë greke, është në kundërshtim  me parimet themelore të njerëzimit dhe demokracisë së mirëfilltë. Në fund të letrës i shkruan kryemistrit grek se për të gjithë shqiptarët, Greqia do të vazhdojë të ngelë në mbamendje si një shtet që vazhdon të mbaje armiqësi, jo vetëm me kombin shqiptar, por edhe me kombet tjera në rajon e më gjërë.

Top Channel