Kryeministri serb Ivica Daçiç ka deklaruar se Serbia ka arritur të
reduktojë numrin e azilkërkuesve përmes një seri masash parandaluese,
por megjithatë regjimi i lëvizjes së lirë në zonën Schenegen mbetet në
rrezik.

Pas një takimi me sekretaren e shtetit belg për Azilin dhe Emigracionin, Maggie de Block, Daçiç tha se 17 mijë qytetarë janë përpjekur të nisen për në Evropën perëndimore për të kërkuar azil, numër ky i përgjysmuar në vitin 2011.

Qeveria serbe mban marrëdhënie të mira me qeverinë belge dhe ato të vendeve të tjera evropiane, por problemi i azilkërkuesve të rremë përbën ende rrezik për regjimin e lirë të vizave në zonën Schengen.

“Romët dhe shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të azilkërkuesve dhe kjo është arsyeja përse ne jemi të kujdesshëm në implementimin e masave, në mënyrë që të shmangim veprime që mund të interpretohen si shkelje e të drejtave të njeriut”, tha Daçiç, i cituar nga “B92”.

Sipas kryeministrit serb, përveç masave të marra deri tani, si kontrolli i kufirit, prezantimi i veprave të reja kriminale, etj, është e nevojshme të implementohen masa të tjera në mënyrë që në zonat nga vijnë azilkërkuesit të ketë zhvillim ekonomik.

Vitin e kaluar 4.579 shtetas serbë kërkuan azil në Gjermani, 2.699 në Suedi, 935 në Luksemburg, 1.109 në Belgjikë dhe 1.117 në Zvicër, saktësoi Daçiç, njëkohësisht ministër i Brendshëm i Serbisë.

Top Channel