“Evropa nuk duhet të na vendosë përballë kësaj zgjedhjeje: ose BE-në, ose Kosovën”. Kështu ka deklaruar presidenti serb Tomisllav Nikoliç, i cili në një intervistë për “Corriere della Sera” ka rikonfirmuar deklaratën e bërë ditën që mori detyrën.
“Nuk kam ndërruar mendim. Thash se, ‘nëse do të na duhet të heqim dorë nga Kosova, më mirë të harrojmë Evropën’, dhe unë i qëndroj ende kësaj deklarate”, ka thënë Nikoliç. (Më poshtë vijon intervista e presidentit serb).
Corriere: President, ju doni të hyni në Evropë?
Nikoliç: “Evropa është objektivi ynë që prej vitit 2000. Kemi reformuar ekonominë, drejtësinë, shërbimet sekrete dhe administratën. Por pas këtyre progreseve vjen shqetësimi për Kosovën. Nuk është e drejtë. Mos më pyesni nëse unë dua Evropën, pyetja e vërtetë është nëse Evropa na do neve”.
Corriere: Çfarë jeni të gatshëm të lëshoni për Kosovën?
Nikoliç: “Nën presione të mëdha, Serbia ka pranuar një seri marrëveshjesh me Prishtinën. Unë isha kundër, por tani ato janë angazhime të shtetit dhe si president do t’i respektoj”.
Corriere: Ju propozoni negociata direkte mes liderëve politikë…
Nikoliç: “Nuk mund të mbahen, siç ka ndodhur në të kaluarën, mes funksionarëve shtetërorë anonimë. Duhen mbajtur nga qeveritë”.
Corriere: Po ju do të ishit i gatshëm?
Nikoliç: “Nuk do të tërhiqesha. Por nëse nga ana tjetër do të ishte kryeministri kosovar Thaçi… E di mirë që nuk na takon neve të zgjedhim interlokutorët, por ju kujtoj se Thaçi është ende i përfshirë në një hetim për trafik organesh gjatë luftës. Dhe më parë ky hetim duhet të mbyllet”.
Corriere: Ju nuk do t’ia jepnit dorën?
Nikoliç: “Për pak u takova me të në Nju Jork, në një pritje të BE-së. Por kur mora vesh që ai ishte aty u largova. Nuk doja të krijoja skandal duke mos i shtrënguar dorën”.
Top Channel