Meksikë, lideri i Los Zetas mund të jetë vrarë

09/10/2012 00:00

Numri një i kartelit Los Zetas, Heriberto Lazcano, ka mbetur i vrarë në një shkëmbim zjarri në veri të Meksikës, ka deklaruar marina e vendit latin.

Marina tha se është ende në pritje të rezultateve të ekspertizës shkencore, por trupi duket se i përket Lazcano-s.

Lazcano, i njohur ndryshe si “Ekzekutori”, është themelues i kartelit famëkeq që është përfshirë në një zinxhir vrasjesh masive dhe rrëmbimesh.

Vdekja e tij do të jetë një fitore në luftën kundër karteleve, thonë analistët. Ndërsa policia meksikane beson se një masakër pritet të vijë për shkak të ndarjes së kartelit Los Zetas.

Lazcano mendohet të ketë qenë lideri i një prej fraksioneve, ndërsa fraksioni tjetër drejtohet nga Miguel Angel Trevino Morales.

Në pothuajse 6 vitet e presidencës së Felipe Calderon, të paktën 50 mijë persona kanë mbetur të vrarë në dhunën që u atribuohet organizatave kriminale.

Shkëmbimi i zjarrit ku mbeti i vrarë Lazcano ndodhi ditën e diel në rajonin e Progresos, rreth 125 kilometra në perëndim të kufirit me Teksasin, në shtetin Koahuila.

Marina ka deklaruar përmes një njoftimi për shtyp se nga trupi ka gjetur prova të forta që tregojnë se viktima ishte pikërish lideri i kartelit famëkeq.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta