Konflikti midis Japonisë dhe Kinës për sovranitetin e disa ishujve të diskutuar në ujrat e Detit të Kinës Lindore ka sjellë një bojkot masiv të produkteve japoneze në vendin më të populluar të botës, duke dëmtuar rëndë prodhuesit e automobilave.
Shitjet e “Toyota”-s në Kinë pothuajse u përgjysmuan gjatë muajit shtator, ndërsa rënie mbi 30% regjistruan edhe markat e tjera lider të tregut japonez, si “Nissan”, “Mazda”, “Mitsubishi” dhe “Honda”.
Ndonëse bojkoti nuk është pjesë e një politike të Pekinit zyrtar, duket se ndienjat nacionaliste dhe psikologjia anti-japoneze në vendin me tregun me rritjen më të madhe në botë në fushën e automobillëve ka krijuar këtë situatë.
Si rrjedhojë e bojkotit, kanë qenë firmat e tjera europiane dhe amerikane ato që kanë përfituar më shumë, me “General Motors” që regjistroi një rritje prej 10% të shitjeve dhe “Volksëagen”-in, me një rritje prej 21% si përfituesit kryesorë.
Ndonëse të pabanuar, ishujt e quajtur Senkaku në japonisht dhe Diaoyu në Kinë kanë një rëndësi të madhe strategjike, pasi ndodhen në një zonë të pasur me resurse detare, ku dyshohet se ndodhen edhe shumë rezerva nafte e gazi të paeksploruara në thellësi.
Së fundmi, si rrjedhojë e përplasjeve mbi sovranitetin e këtyre territoreve, marrëdhëniet ekonomike midis dy superfuqive aziatike janë dëmtuar ndjeshëm, me një sërë bojkotesh, protestash e kundërprotëstash të mbajtur në të dy vendet.
Top Channel