
Dallimet mes partnerëve të koalicionit qeveritar në Shkup mbeten edhe përkundër faktit që deputetët e dy partive BDI dhe VMRO-DPMNE javën e kaluar, bashkarisht votuan kundër mocionit të opozitës për mosbesimin e qeverisë.
Pavarësisht se kryeministri Nikolla Gruevski u shpreh i prerë se ligji për forcat maqedonase të sigurisë do të miratohet në Kuvend pa përfshirë ushtarët e UÇK-së, deputetët e BDI-së edhe më tutje po tentojnë të bllokojnë sjelljet e këtij ligji.
Përmes një fjalimi maratonik, deputeti Talat Xhaferi, që nga 5 shtatori po mban të bllokuar komisionin parlamentar për punë dhe politikë sociale, ku po diskutohet për ligjin problematik. Por sjellja e këtillë e deputetit të BDI-së, sipas partisë opozitare RDK, tregon pafuqinë politike të partisë shqiptare në pushtet.
“Në vend të pozicionit të fortë politik, BDI vazhdon me pozicione proçedurale të ndalë ligjin e ‘branitellave’. BDI duhet që të votojë kundër qeverisë dhe të ripozicionojë pozitën e vet në një marrëveshje të ardhshme me mandatarin ku do merrej vesh për të gjitha këto probleme të hapura, posaçërsisht për ligjin e forcatve të sigurisë dhe përfaqësuesve të UÇK-së. Pas fjalimit injorues të Gruevskit për ne ësthtë i paqartë pozicioni I BDI-së”, ka deklaruar Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.
Deputetët e opozitës maqedonase duke kritikuar pushtetin thonë se në opinion gjithnjë e më tepër po bëhet e qartë se kriza politike është kurdisur nga Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti.
“Mendoj se edhe nga iniciativa për mosbesimin e qeverisë opozita arriti që opinionit t’ia bëjë me dije se bëhet fjalë për një marrëveshje klasike. Marrëveshja është e qartë, njëra palë, pra VMRO-DPMNE-ja, bëhet sikur dëshiron të miratojnë ligjin për forcat maqedonase dhe pala tjetër, BDI-ja, bën sikur e pengon atë në Kuvend. E gjitha kjo me të vetmin qëllim para zgjedhjeve që ta rrisin rejtingun, gjithësesi në dëm të marrëdhënieve ndëretnike në RM”, ka thënë Zoran Misovski, deputet i PRSD-së.
Ndërkohë, mësohet se partnerët e koalicionit qeveritar po mendojnë që dallimet t’i tejkalojnë përmes riformimit të kabinetit qeveritar. BDI pretendon të marrë Ministrinë e Arsimit për të zgjidhur problemet e shqiptarëve në shkolla.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Gruevski po kërkon që të marrë nga BDI-ja Ministrinë e Mbrotjes pas përkuljes së drejtuesit të këtij institucioni Fatmir Besimi para varrezave të dëshmorëve të UÇK-së. Por, BDI do të pajtohet me kërkesën e Gruevskit vetëm nëse partisë shqiptarë i jepet në drejtim Ministria e Brendshme.
Top Channel