
Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar bisedimet me partitë politike, për t’i bashkuar që të veprojnë bashkarisht për në zgjedhjet e ardhshme.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa është takuar të hënën pasdite me Nexhat Dacin, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, parti e cila u pat formuar pas ndarjes së LDK-së.
Daci me shaka tregoi se për çfarë kanë rënë dakord. “Ne u morëm vesh për diçka që s’do të merremi vesh për asgjë para kohe”, tha Daci.
Kreu i LDK-së, Mustafa u shpreh para mediave se qëllimi ishte që të zhvillonin këtë takim, ndërsa akademiku Daci u shpreh se njëherë duhet bërë diagnostifikimi i proçesit, që sipas tij, mund të marrë kohë deri para zgjedhjeve të ardhshme, të cilat nuk dihet kur do të mbahen.
“Ne sot kishim qëllim që të uleshim bashkarisht dhe të bisedonim, të kishim një bisedë pune, por jo që të merreshim vesh apo të mos merreshim vesh. Ajo çfarë ne bëmë sot është se ne biseduam në mënyrë shumë të relaksuar dhe e lamë hapur mundësinë që në proçese të ardhshme të bashkpunojmë”, deklaroi Mustafa.
“Ne kemi hyrë në fillim të një proçesi, por më parë duhet të bëjmë diagnostikimin e proçesit për të mos bërë terapi të gabar. Unë nuk jam njeri që i ha fjalët e mia, se ju letrat nuk mund t’i hani nesër, kështu që do të shohim. Besoj se ekspertiza do të zgjasë deri para zgjedhjeve”, tha Daci.
Takimi Mustafa-Daci vjen vetëm pak ditë pasi kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se do të ofrojë mundësinë që LDD, AKR, AAK dhe Partia Demokristiane të afrohen me boshtin e LDK-së dhe të veprojnë bashkarisht në zgjedhjet e ardhshme.
Por, dy partitë e tjera të përmendura nga Mustafa, AAK dhe AKR, ende nuk dihet nëse do t’i përgjigjen kësaj ftese. Zyrtarë të këtyre partive nuk shprehen qartë për pozicionin e tyre karshi kësaj ideje.
Në AAK deklarojnë se nuk duhet të dilet në media para ndonjë takimi, ndërkaq në AKR, që është pjesë e koalicionit me PDK-në e Thaçit, kur pyeten nëse do t’i përgjigjen ftesës së LDK-së, deklarojnë se njëherë janë duke u marrë me çështjet brenda partisë.
“Mendoj se të gjitha idetë janë të mira, mirëpo idetë për koalicion nuk thuhen paraprakisht në publik. Kërkesat publike pasojnë kërkesat që shkojnë nëpër tavolina, kjo ndodh në gjithë botën jo vetëm në Kosovë dhe nuk duhet përkundrazi”, tha Ardian Gjini, shef i grupit kuvendor të AAK-së.
“Ne jemi në proçese zgjedhore brenda subjektit tonë dhe kemi ardhje të njerëzve të rinj, që do të thotë se njëherë jemi duke u marrë me çështje të brendshme të partisë sonë”, shprehet nga ana tjetër Myzejene Selmani, anëtare e kryesisë së AKR-së.
Ideja e kryetarit të LDK-së nuk është parë me shqetësim nga partia më e madhe në pushtet, PDK. Nënkryetari i saj Hajredin Kuçi e ka parë si joproduktiv përcaktimin e fundit të LDK-së që t’i bëjë bashkë të gjitha partitë me orientim të djathtë në një koalicion parazgjedhor.
Top Channel