Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar të hënën se është gati të marrë përsipër çdo përgjegjësi përsa i takon proçesit të bisedimeve me Kosovën.
Megjithatë, i cituar nga mediat serbe, Daçiç ka vënë në dukje se para rifillimit të dialogut është e rëndësishme që të përcaktohet qëllimi i tij.
“Edhe në fushatën parazgjedhore unë e kam thënë se do të marr përsipër përgjegjësitë, por më parë duhet të dimë se çfarë bisedimesh do të zhvillojmë, me çfarë qëllimi dhe a do të kenë ato miratimin e gjithë ekzekutivit”, ka deklaruar Daçiç.
Reagimi i tij ka ardhur pas deklaratës së presidentit serb Tomisllav Nikoliç, se kryeministri mund të udhëheqë delegacionin serb në dialogun me Prishtinën.
“Ende nuk është marrë vendimi për vazhdimin e proçesit, por Serbia është e angazhuar për një zgjidhje paqësore të të gjitha problemeve”, ka shtuar Daçiç.
Ndërsa fundjavën e kaluar, kryeministri serb përsëriti qëndrimin e tij se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme që mund të qetësojë marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve.
“Vazhdoj të mendoj se kjo është zgjidhja më e shpejtë, më e mirë dhe më e drejtë, e cila është e pranueshme edhe për shqiptarët, edhe për serbët, sepse merr parasysh interesat e tyre legjitime”, tha Daçiç.
Në një intervistë për të përditshmen sllovene “Delo”, Daçiç vlerësoi se ky opsion ishte gjithësesi një qëndrim personal, i cili nuk mund t’i imponohej Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar.
“Ky dialog, sipas mendimit tonë, duhet të përfshijë edhe çështjet politike dhe jo vetëm ato teknike. Pavarësia e Kosovës nuk mund të jetë e plotë përderisa nuk ka pajtimin e Serbisë”, vuri në dukje Daçiç.
Top Channel