Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka dënuar aktin vandal, të kryer nga persona ende të paidentifikuar, mbi simbolet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt, mbi të cilat u shkrua në gjuhën serbe “Kosova është Serbi”.
Përmes një komunikate për media, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, njofton se të shtunën pasdite, zyrtarët e Konsullatës në Frankfurt, kanë vërejtur se janë dëmtuar simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, stema dhe shenja e Konsullatës në derën kryesore të hyrjes, e cila është grisur me mjete të forta, ndërsa në gjuhën serbe është shkruar “Kosova është Serbi”.
Në njoftim thuhet se pas evidentimit të rastit, përveç Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, zyrtarët e Konsullatës menjëherë kanë njoftuar policinë gjermane dhe autoritet relevante, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë proceduar me rastin. “Autoritetet e policisë gjermane po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për zbardhjen e plotë të përgjegjësve dhe motiveve të këtij akti”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Me këtë rast, MPJ e Kosovës shpreh indinjatën e saj për këtë akt të ulët të kryer ndaj simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës duke ritheksuar vendosmërinë e misioneve diplomatike e konsullore dhe tërë shërbimit të jashtëm të Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe avancimin e vazhdueshëm të shërbimeve konsullore për qytetarët e Kosovës me qëndrim jashtë vendit.
MPJ gjithashtu shpreh konsideratat më të larta për autoritetet gjermane për angazhimin që kanë marrë për zbardhjen e këtij rasti duke shprehur besimin e plotë se shumë shpejt do të gjenden edhe përgjegjësit e këtij akti vandal dhe se ata do të ballafaqohen me drejtësinë.
Top Channel