Sindikata e Pavarur e Postës dhe Telekomit të Kosovës akuzon Gjykatën Supreme të Kosovës, se po e stërzgjat pa ndonjë arsye çështjen e hapur nga kjo sindikatë më datë 13 shtator 2010, me padi për ndalimin e proçesit të privatizimit dhe anulimin e ftesës publike për shitjen e aseteve të PTK-së.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Milazim Alshiqi, në një konferencë për media të mbajtur të shtunën ka kërkuar sqarim edhe nga kryetari i kësaj gjykate, Fejzullah Hasani.
Alshiqi për zgjidhjen e këtij problemi ka kërkuar edhe ndihmën e qeverisë dhe institucioneve të tjera, duke apeluar tek të gjithë që mos të bllokojnë projektet e nisura nga PTK-ja.
Alshiqi i është përgjigjur edhe reagimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila pas protestës së sindikatës së PTK-së, ka reaguar duke thënë se punëtoret e PTK-së kanë të drejtë të protestojnë, por paralajmërimi për radikalizim është tejkalim i angazhimeve për të drejtat sindikale dhe se ai nuk do të tolerohet.
Sindikalistët e PTK-së kanë paralajmëruar se nëse nuk merren në shqyrtim kërkesat e tyre për trajtimin e lëndës së parashtruar për ndalimin e proçesit të privatizimit dhe anulimin e ftesës publike për shitjen e aksioneve të PTK-së nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës, do të ndërmarrin hapa konkretë, duke mos përjashtuar edhe protestat.
Top Channel