Partia më e madhe e opozitës në Kosovë, LDK, ka akuzuar të shtunën qeverinë Thaçi për gjendjen në të cilën ndodhet sektori shëndetësor.

Grupi i ekspertëve për shëndetësinë pranë kësaj partie ka deklaruar se, qeveria vazhdon të marrë vendime dhe të aplikojë politika që thellojnë sipas saj kaosin në institucionet shëndetësore.

“Parregullsitë e mëdha janë kthyer në normë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve të qeverisë”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Sipas LDK-së, prej më shumë se dy vjetësh të gjitha klinikat dhe institutet e QKUK-së vazhdojnë të drejtohen në mënyrë të paligjshme nga ushtrues detyre.

“Kjo tregon ndërhyrjen e politikës, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë Thaçi në tërësi në sektorin shëndetësor”, thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel