Përfundoi punimet i samiti ndërkombëtar i gruas, “Partneriteti për Paqe – Fuqizimi i Gruas”, i cili po mbahej në Prishtinë. Për tri ditë radhazi u diskutua për mënyrën e fuqizimit të gruas në të gjitha sferat, e me theks të veçantë në barazinë gjinore.

Ky samit, në të cilin morën pjesë shumë personalitete të njohura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ambasadorja e SHBA-ve për Çështje Globale të Grave, Melanne Verveer, etj.

“Është detyrim i yni që ne, udhëheqëset, të mbijetuarat, ekspertet dhe avokatet të ngremë zërin dhe të bëhemi zëri i të gjitha grave në shoqëritë tona në mbarë botën, kudo ku të drejtat janë të mohuara. U mblodhëm këtu në Prishtinë si lidere dhe eksperte, që të mësojmë nga njëra-tjetra si të zgjerojmë dijen tonë dhe vizionin tonë, të ndajmë përvojat dhe të shkëmbejmë praktikat më të mira”, deklaroi presidentja Atifete Jahjaga.

Ndërsa ambasadorja amerikane për Çështjet Globale të Grave, Melanne Veveer tha se ky samit është vetëm hapi i parë për të arritur barazinë gjinore dhe perspektivën e së drejtës së gruas në rajon, por edhe në botë.

“Angazhimi ynë për të arritur barazinë gjinore dhe perspektivën e së drejtës së gruas në rajon dhe në botë duhet të vazhdojë edhe më tej. Kjo konferencë është vetëm fillimi i punës sonë, sepse ne duhet t’i përshpejtojmë përpjekjet tona gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. Po largohem këtej me ide të shkëlqyera, duke u zotuar se do të jem agjente e ndryshimit kudo në botë”, deklaroi Veveer.

Samiti ishte organizuar nën përkujdesjen e presidentes Atifete Jahjaga, ndërkohë që ishte financuar nga USAID dhe NDI. Samiti mblodhi personalitete të shumta të skenës politike në botë, në mesin e tyre edhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. Gjatë tri ditëve të samitit pjesëmarrëset kanë theksuar mbështetjen për Kosovën dhe rolin e gruas në demokraci.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA