Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka pritur në një takim delegatin apostolik të Vatikanit për Kosovën, Juliusz Janzus, raporton e përditshmja “Express”.

Gjatë takimit ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen dhe konsideratat e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për përkrahjen tradicionale që ka dhënë Vatikani për vendin.

Hoxhaj dhe Janusz po ashtu kanë biseduar për format e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.

Me këtë rast, ministri kosovar ka theksuar se njohja eventuale e Kosovës nga Vatikani do të ishte inspirim për shumë vende të botës që të ndjekin shembullin e njëjtë.

“Po ashtu, kjo do të ishte një mirënjohje për vuajtjet e mëhershme dhe angazhimin e fuqishëm aktual të popullit të Kosovës për ndërtimin e një shteti demokratik, në përputhje të plotë me vlerat më të mira demokratike evropiane, pasi Kosova është shtet evropian edhe me histori, edhe me gjeografi edhe me kulturë”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, delegati apostolik i Vatikanit ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke premtuar mbështetje të fuqishme të Selisë së Shenjtë për Kosovën.

Listës së shteteve të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës iu shtua pak ditë më parë Papua Guinea e Re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA