Kore, ushtari verior dezerton në Jug

06/10/2012 16:00

Një ushtar koreano-verior ka dezertuar duke u arratisur në Jug, përtej kufirit ushtarak mes dy vendeve, kanë bërë të ditur zyrtarë nga Seuli.

Ushtari deklaroi se kishte qëlluar për vdekje dy oficerë përpara se të kalonte kufirin pak pas mesnatës mes së premtes dhe së shtunës.

Korrespondenti i BBC raporton se dezertimet përmes kufirit tokësor janë të rralla dhe se rasti i fundit i një ushtari daton në vitin 2010.

Mbi 20 mijë koreano-veriorë kanë emigruar në Jug në 60 vitet e fundit, shumica e të cilëve përmes Kinës dhe Azisë Jug-Lindore.

Teknikisht dy vendet janë ende në luftë që pas konfliktit të viteve 1950-53, që përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

Ushtari citohet të ketë thënë se qëlloi komandantët e skuadrës së tij teksa ndodhej në detyrë.

Ndërsa një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Seulit tha se gjashtë të shtëna ishin dëgjuar dhe se ushtarët-roje panë ushtarin të kalonte vijën e demarkacionit në një seksion perëndimor të kufirit të mbikëqyrur rreptësisht.

Ata përdorën altoparlantë për të kontaktuar me të dhe për të kuptuar që ai donte të dezertonte dhe e udhëhoqën drejt një zone të sigurtë, saktësoi zyrtari.

I njëjti burim shtoi më tej se aktualisht ushtari dezertor ndodhet në një lokalitet të mbrojtur ku dhe po merret në pyetje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA