Policia franceze ka qëlluar për vdekje një person gjatë një operacioni anti-terror të zhvilluar në qytetin e Strasburgut.
Operacioni lidhej me një incident të regjistruar muajin e kaluar, kur një sasi e vogël eksplozivi u hodh drejt një dyqani ushqimesh në Paris.
Tre oficerë policie mbetën të plagosur pasi u përballën me personin e dyshuar në shtëpinë e tij ditën e shtunë.
Ndërkohë, operacione të tjera janë zhvilluar në zona të tjera të Francës dhe policia deklaron se shtatë persona janë arrestuar.
Operacionet janë kryer në qytetet Nisë dhe Kanë, në jug-lindje të Francës, si dhe në një zonë të Parisit, raportojnë mediat franceze online.
Në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga pallati Elize, presidenti Francois Hollande theksoi se, “shteti është i vendosur për të mbrojtur popullin francez nga të gjitha format e terrorizmit”.
Në operacionin e zhvilluar në Strasburg është arrestuar edhe bashkëshortja e personit të dyshuar që mbeti i vrarë nga reagimi i forcave të policisë.
Ngjarja e ndodhur në dyqanin në lagjen periferike Sarseles të Parisit, më 19 shtator, ka shkaktuar një reagim të fortë të komunitetit hebre që jeton atje, edhe për faktin se një person mbeti i plagosur.
Top Channel