Ata po na vjedhin dhe ne nuk po e vëmë re

06/10/2012 00:00

ZAMIRA ÇAVO – Mungesa e besimit ka sjellë një ndjenjë pesimizmi të
dukshme te shumica e njerëzve. Besimi se në të ardhmen gjërat do të
përmirësohen, tashmë është në pikën e vdekjes. Madje një mik më tha dje,
se thënia e famshme “më mirë do të bëhet” është zëvendësuar tashmë me
shprehjen “më keq do të bëhet”.

Shkaqet i dimë të gjithë. E keqja është se nuk po përpiqemi aspak të reagojmë në grup. Akoma nuk jemi të bindur se e ardhmja mund të na befasojë shumë më tepër nga ajo çka e mendojmë sot si “një të keqe”.

Realisht politika po na vjedh, shteti ynë po na vjedh, duke na varfëruar çdo ditë e më shumë. Të shumtët nuk e vënë re. Ata që e vënë re mundohen ta shpallin me forcë, por duket se “veshët” e njerëzve janë zënë nga daullet e katrahurës politike. Ndoshta ne jemi populli, i cili vidhet më shumë dhe nuk proteston.

Pa mëdyshje them se vidhemi çdo ditë nga shteti ynë.

Ku është parë e dëgjuar që shteti t’ia “shesë” Taçit “Albpetrolin” në shifra marramendëse? Kjo do të thotë se Taçi, ose më mirë Kryeministri, ia ka “shitur” vetes këtë pasuri! Pra Taçi nuk paguan dhe Kryeministri nesër është zot i pasurive të këtij vendi! A ka njeri që t’u ndalë dorën këtyre hajdutëve? Nëse Taçi qenka kaq i pasur sa të ofrojë një çmim që ua kalon disa herë ofertave të firmave kanadeze, ruse e kineze, atëherë ne shqiptarët qenkemi më të pasurit në botë. Po unë dyshoj. Dhe them se kjo është vjedhje me përmasa katastrofike.

Sikur të kesh fatin të jesh i punësuar, sërish vidhesh nga sigurimet shëndetësore e shoqërore. Mund të kesh një jetë që i paguan këto sigurime dhe nuk merr mbrapsht asnjë qindarkë përfitim. Kushdo e ka provuar, nëse fati e ka çuar në dyert e spitaleve apo të ambulancave. Askush nuk do të dijë për taksat që ti ke paguar. Nëse nuk do të vdesësh, duhet të paguash për të njëmijtën herë atë shërbim, që duhet ta ofrojë shteti. Sistemi është shndërruar në një sistem vjedhje të koordinuar “ligjërisht”. Ti paguan sigurime shoqërore disa herë më shumë se sa ti do të përfitosh nesër një pension.

Dyshoj shumë nëse ka ende ndonjë shqiptar që vazhdon ta shikojë televizionin shqiptar. Por taksën për të e paguajmë rregullisht dhe askush nuk e di se ç’bëhet me këto taksa. E, meqë jemi te televizionet, ato miliona euro që shpenzon qeveria për reklamat e saj, janë paratë tona. TONAT! Janë para që ne të gjithëve na i heqin nga goja e fëmijëve për të mbajtur shtetin. Po shteti ynë i përdor jo për arsimin, as për shëndetësinë, as për shërbimet e tjera publike, madje as për të na gjetur një copë tokë për varreza, por për t’u bërë “nder” atyre tellallëve që ia kanë “shurdhuar” veshët këtij populli! Dhe sërish ne heshtim.

Shteti ynë po na vjedh, duke shitur çdo ditë copëza të pasurisë sonë të përbashkët. Me ç’të drejtë? Prona jonë është e jona dhe e askujt me emër të përveçëm! Nëse dikush do të shesë, le të shesë vilat e veta, pronat që i ka marrë pa të drejtë, por jo pasurinë tonë të përbashkët. Dhe sërish ne heshtim. Disa heshtin sepse nuk e kuptojnë se këto janë pronat tona e të fëmijëve tanë. I konsiderojnë thjesht prona të shtetit me të cilat z. kryeministër di se ç’bën. Disa të tjerë thonë se s’po dimë se çfarë të bëjmë… të tjerët rrinë indiferentë, sepse nuk kanë më besim se dikush do t’ua ndalë dorën këtyre hajdutëve.

Shteti ynë na vjedh duke shpenzuar miliona nga paratë tona, nga taksat tona, që krerët e shtetit të udhëtojnë nëpër botë. Nga këto udhëtime ne nuk kemi përfituar asnjë investim, asnjë punësim, asnjë qindarkë, por shtetarët po. Dhe mos harrojmë se ata “bëjnë qejf” me paratë tona!

Shteti ynë na vjedh duke mos i dhënë pronat pronarit, por zaptuesit, duke mos paguar të përndjekurit e dikurshëm, me të cilët fituan pushtetin, por duke u dhënë shpërblime të majme tellallëve politikë.

Shteti ynë na vjedh dhe kur bëhet palë me CEZ-in apo kur shet interesat tona te kompani që jo vetëm janë të dyshimta, por as që duan t’ia dinë për qytetarët. Shteti na vjedh dhe kur bëhet palë me shfrytëzuesit e pasurive tona nëntokësore… dhe kur “blen” me paratë tona, të ardhmen e nipërve e stërnipërve të pushtetarëve. Me tenderët që bëjnë gjithnjë me paratë tona, ata janë shndërruar në pronarët tanë. Ne i kemi bërë ata pronarë të jetëve tona, sepse me paratë tona ata kanë mundur të blejnë jetën, pafajësinë, të ardhmen…

Shteti ynë po tenton të na vjedhë edhe mendjen. Kryeministri na konsideron “injorantë” e të “pandjeshëm” teksa tallet me ne, duke na treguar se sa shumë po bën shteti për qytetarët e tij. Madje mashtrimi dhe demagogjia shkojnë përtej parashikimeve më optimiste të analistëve. Berisha na flet për përfitimet që ka çdo shqiptar, për të ardhurat që janë shtuar në xhepat tanë, për faktin se ai ka “dëgjuar” se kompanitë e huaja do të shpërngulen në Shqipëri dhe do na e bëjnë jetën lule. Dhe ne bëjmë sikur i besojmë. Mbase ka dhe që i besojnë. Por ama secili prej nesh kur kthehet në mbrëmje në shtëpi shikon se dita e sotme ishte më keq se dje dhe ajo e nesërmja kushedi se si.

Ndërsa ata që duhet të na mbrojnë, ata që e kanë legjitim forcën e aksionit, ata heshtin. Mbase opozita mendon se do të veprojë me të njëjtin model qeverisjeje. Mbase mendon të na surprizojë me ndonjë reagim të fuqishëm qytetar. Por deri atëherë ne do të vazhdojmë të vidhemi nga shtet ynë. Të paktën të bëhemi të ndërgjegjshëm për këtë fakt.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA