Një zyrtar i lartë europian për të drejtat e njeriut shprehu “shqetësim të thellë” për vendimin e marrë së fundmi nga autoritetet serbe, që vendosën të mos lejojnë mbajtjen e një parade të krenarisë homoseksuale në kryeqytetin Beograd.
Vendimi i qeverisë së Daçiç u justifikua me kërcënimin që një manifestim i tillë do t’i paraqiste sigurisë publike.
Keith Whitmore, i Këshillit të Europës, në një deklaratë i kërkoi Beogradit që të rimarrë në konsideratë këtë vendim, ndërsa e cilësoi refuzimin si një hap pas në procesin e integrimit të vendit në BE.
”Beogradi duhet të respektojë të drejtat e komunitetit gay, të cilët duhet të konsiderohen si banorë të lirë të një kryeqyteti europian”, deklaroi Whitmore.
Sipas tij, anullimi i këtyre manifestimeve vetëm sa do të rrisë ndienjat homofobike në Europë, ndërsa citoi një rezolutë të vitit 2007, e cila i kërkoi autoriteteve lokale në të gjithë kontinentin që të sigurisë lirinë e shprehjes dhe të grumbullimit për komunitetet e homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe tranvestitëve.
Ky ishte viti i dytë radhazi në të cilin parada e komunitetit LBGT anullohej në Beograd.
Në vitin 2010, me dhjetëra persona u arrestuan, pas një zënke masive, pasi marshuesit u sulmuan nga një grup huliganësh.
Top Channel