Prandelli: Pirlo në Brazil 2014

05/10/2012 12:55

Ndonëse kur të mbërrijë Botërori i ardhshëm, pas dy vitesh, Pirlo do të jetë pothuajse 36 vjeç, ai përsëri mund të jetë midis futbollistëve italianë që do të tentojnë të fitojnë një titull të pestë në tokën braziliane.

Këtë e deklaroi trajneri i kombëtares, Cesare Prandelli, i cili foli për aktualitetin e përfaqësues që ai udhëheq në një intervistë për “Raisport”, ditën e premte.

”Është vetëm Andrea ai që do të vendosë nëse do të jetë ose jo në kombëtare. Herën e fundit që kemi bashkëbiseduar, folëm për gjëra shumë të rëndësishme. Pirlo dëshiron të mbërrijë deri tek Botërori dhe për këtë ka treguar një vendosmëri të admirueshme”, u shpreh Prandelli.

Pirlo debutoi me fanelën “axurre” pikërisht dhjetë vjet më parë, në 7 shtator 2002, nën drejtimin e Trapattonit.

Ndonëse debutimi ndodhi relativisht vonë, në moshën 24-vjeçare, Pirlo erdhi duke fituar një vend të pazëvendësueshëm në radhët e Italisë, duke u bërë një figurë kyçe në Botërorin e fituar të vitit 2006 dhe në udhëheqjen e skuadrës në finalen e Europianit të Polonisë dhe Ukrainë, në 2012.

”Kombëtarja duhet të rinovohet dhe të konsolidohet ende. Përsa i përket Pirlos, ndonëse unë jam trajneri, jam i sigurt që ai do të jetë në gjendje të vendosë vetë për veten, pasi e di që nuk do të vinte kurrë në Brazil nëse nuk do të ndiente se mund t’i jepte diçka më shumë përfaqësueses”.

Top Channel