
Deputetët e mazhorancës kanë votuar pro nevojës për sjelljen e ligjit për korrespondentët e huaj, i cili mes të tjerash parasheh që gazetarët e mediave të huaja që raportojnë nga Maqedonia, duhet që cdo vit të marrin leje nga Ministria e Jashtme në Shkup.
Deputetët e opozitës shqiptare kanë votuar kundër nevojës për sjelljen e këtij ligji pasi vlerësojnë se me të pushteti tenton të kontrollojë ose të mbyllë zyrat e mediave të Tiranës dhe Prishtinës në Maqedoni.
“Vlerësojmë se ky ligj duhet të sillet me shumicë të dyfishtë dhe ky ligj le të jetë në dorën e deputetëve shqiptarë, ata le të përcaktojnë a duan të sanksionojnë gazetarët shqiptarë dhe opinionin shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë apo do të jenë për variantin që këto përfaqësi të jenë të lira dhe të mos shantazhohen nga ana e Ministrit për Punë të Jashtme që cdo vit duhet t’u japë gazetarëve të huaj leje”, deklaroi deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela.
Projekti-ligji për korrespodentët e huaj është propozuar nga Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga Blerim Bexheti, drejtues i BDI-së. Opozita shpreh habinë se si ky ministër shqiptar propozon ligje që kanë për qëllim të dëbojnë mediat shqiptare që gjithnjë e më shumë po shtojnë interesin për shqiptarët e Maqedonisë.
“Në Maqedoni ekziston një terr informativ. Nga ana tjetër ky terr informativ është akoma më i thellë. Në kohën që jetojmë ka goxha ndjekje të qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë të televizioneve që janë në Shqipëri dhe Kosovë. Nga ana tjetër edhe interesi i këtyre mediave që të ndjekin situatën e shqiptarëve në rajon në mënyrë të drejtë është goxha i madh”, shtoi më tej deputeti i PDSH-së.
Përvec lejes që duhet ripërtërirë cdo vit, në draft thuhet se për të vepruar në Maqedoni një zyrë e një medie të huaj, dy vendet duhet të kenë marrëveshje bilaterale, por pa saktësuar cilës fushë duhet t’i përkasë kjo marrëveshje. Sipas opozitës edhe ky fakt është shumë shqetësues pasi lë hapësirë që Ministri i Jashtëm ta intepretojë këtë kërkesë si të dojë, nëse nuk dëshiron që një korrespodenti të huaj t’i jepet leje për punë në Maqedoni.
Top Channel