
Guvernatorë të bankave qendrore nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Mali i Zi e Maqedonia janë mbledhur të premten në Prishtinë për të diskutuar për temën “Konkurrenca kundrejt marrjes së rrezikut në sektorët bankarë të vendeve të Europës qendrore dhe lindore”.
Në hapje të kësaj konference ndërkombëtare, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se janë bërë investime në shumë fusha dhe se do të vazhdohet edhe me privatizimin e ndërmarrjeve publike e shoqërore.
“Në mënyrë që të përmirësojmë produktivitetin dhe të rrisim pjesëmarrjen e sektorit privat në ekonomi, institucionet tona kanë vazhduar me proçesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike dhe ky proçes do të vazhdojë edhe më tutje duke tërhequr edhe investitorë nga vendet e zhvilluara”, deklaroi Hamza.
Duke folur për krizën në Eurozonë, Hamza tha se përkundër zhvillimeve, sistemi bankar në Kosovë ka vazhduar me aktivitetin e tij, duke qenë mbështetës mjaft serioz i rritjes ekonomike të Kosovës, gjë që u mbështet edhe nga deklaratatat e guvernatorut të BQK, Gani Gërguri.
“Ne sapo kemi përfunduar programin e vlerësimit të sektorit financiar nga BB dhe FMN. Vlerësimet, rezultatet dhe konkludimet e përgjithshme janë pozitive nga ky proçes. Unë besoj thellë se ekonomia e Kosovës sapo ka filluar të vjelë benefitet e sistemit tonë bankar të zhvilluar. Natyrisht, në çdo rritje e zhvillim ka edhe sfida të reja. Jemi të përgatitur që t’iu përgjigjemi këtyre sfidave”, theksoi Gërguri.
Për rritje ekonimike foli edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili tha se ekonomia shqiptare është duke u përballuar gjithnjë e më shumë me këtë sfidë, e cila zhvillohet në kushtet e një stabiliteti të konsoliduar makro-ekonomik dhe në prani të themeleve të shëndosha financiare, ku kërkesa agregate ka qenë e zbehtë gjatë 9 muajve të parë të këtij viti.
“Në kontekstin e brendshëm ekonomia sa vjen e përballet me një nivel relativisht të ulët konsumi dhe investimesh private, si dhe me një stimul të munguar të sektorit publik si pasojë e orientiimit në rritje të politikës fiskale dhe të ruajtjes së qëndrueshëmërisë afatgjatë të borxhit publik. Sistemi bankar dhe financiar mbeten të shendetshëm, likuid dhe njëkohësisht treguesit e kapitalit paraqiten në nivel relativisht të kënaqshëm”, nënvizoi Fullani.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe guvernatorët e bankave qendrore të Turqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilët shfaqën para të pranishëmve se si janë përballur me krizën ekonomike.
Top Channel