Mbi 600 gra intelektuale nga vendi, rajoni dhe bota po marrin pjesë në samitin e parë ndërkombëtar “Partneriteti për paqe-Fuqizimi i Gruas”, i cili po mbahet në Prishtinë.
Samiti u çel me tingujt e një prej këngëve të këngëtares së mirënjohur kosovare,Nexhmije Pagarusha.
“Të kërkojmë më shumë barazi”, ishte apeli që presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga iu bëri të gjitha grave shqiptare e më gjerë.
“Të gjitha kemi origjinë të ndryshme, përkatësi të ndryshme etnike dhe kombëtare, përvoja të ndryshme dhe jetojmë në pikat të ndryshme të botës. Por jemi mbledhur këtu në Prishtinë që të punojmë bashkërisht në mënyrë që t’i gjejmë përgjigjet dhe zgjidhje për çështjet e rëndësishme të rajonit dhe botës. Dëshirojmë të falënderojmë Agjencinë e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID dhe NDI që e bënë organizimin e këtij samiti realitet dhe që na bashkuan. Dëshiroj t’i falënderoj pjesëmarrësit për përkushtimin dhe vullnetin që bashkërisht të këmbejmë ide dhe të krijojmë ndryshimin për të cilin kemi nevojë në Evropën Juglindore”, deklaroi Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.
Në pamundësi për të qenë në këtë samit të grave lidere, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton iu drejtua pjesëmarrëseve me një video konferencë. Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë Clinton tha se “Ju keni ngritur një shtet demokratik dhe SHBA-ja do mbetet mik i juaj deri sa të adresoni sfida të tjera përpara”.
Ndërkohë e ftuara e nderit ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeliene Albright i ka dhënë një mbështetje të fuqishme grave të Kosovës duke theksuar se zgjedhja e Atifete Jahjagës si presidente është një shembull që duhet festuar.
Ajo bëri thirrje për barazi mes burrave grave, dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar nga gratë e keqtrajtuara që ta thyejnë heshtjen dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.
“Pata një ndjenjë krenarie të veçanta teksa dëgjoja tingujt e himnit të Kosovës. Për shkak të punës që kam pasur këtu unë kam krijuar lidhje të veçantë për popullin tuaj. Shtetet që po zhvillohen më së shpejti janë ato që i kanë thyer stereotipat ndaj grave dhe zhvillimi i demokracisë është i vështirë por pa grat është i pa mundur. Them se, pa gra demokracia në asnjë vend nuk është e mundshme. Zgjedhja e Jahjagës dhe shërbimi që i bën shtetit duhet festuar, sepse po vë në pah çështjet me të rëndësishme për Kosovën. Ajo është një përfaqësuese fantastike e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Madeliene Albright, Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit.
Ndërkohë kryeparlamentarja e Shqipërisë Jozefina Topalli tha se, të jesh grua është e mahnitshme dhe frymëzim për njerëzimin.
“Të gjithë themi se gruaja është shtylla e familjes. Një grua është kryetarja e familjes, e para e saj. Po kush mund të thotë se ne që jemi të zonjat të mbajmë familjen, nuk jemi të zonjat të drejtojmë biznese? Unë besoj në fuqizimin e gruas. Unë besoj tek potencialet e pashtershme të gruas. Unë dua që politika të ketë me mijëra zonja si Albright, me mijëra zonja si Thatcher, me mijëra zonja si Clinton, mijëra si Merkel. Unë dua që ekonomia botërore të ketë në krye me qindra zonja si Marisse Mayer. Prandaj jemi këtu për t’i thënë cdo burri, cdo gruaje cdo të riu se ne duhet të fuqizojmë gruan. Dhe nga kjo foltore do të doja t’i thoja cdo gruaje , cdo nënë, cdo bije: mos rrini anash, mos u nënshtroni, mos kini frikë”, theksoi Jozefina Topalli, Kryeparlamentare e Shqipërisë.
Përveç kryetares së paralamentit të Shqipërisë në këtë Samit po marrin pjesë, zonja Liri Berisha, zonja Linda Rama, deputetja shqiptare Valentina Leskaj, gra të politikës nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë. Samiti është organizuar nga Presidentja Jahjaga, me mbështetjen e USAID-it dhe NDI-së, i cili pritet të zgjasë dy ditë.
Top Channel