Qeveria greke pritet të marrë së shpejti një vendim të rëndësishëm që lehtëson proçedurat e minoritarëve grekë nga Shqipëria për marrjen e nënshtetësisë greke.
Pas një takimi të ministrit të Rendit, Nikos Dhendias me zv/ministrin e Brendshëm Haralambos Athanasiou është konkluduar që lejet dhjetëvjeçare që disponojne shumica e minoritarëve grekë të shndërrohen në mënyrë automatike në leje qëndrimi pa afat.
Ky zhvillim, sipas burimeve nga dy ministritë, realizohet në mënyrë që të përballohet çështja e pengesave burokratike që lidhen me qëndrimin e minoritarëve nga Shqipëria në Greqi, si dhe në lehtësimin e proçedurave për marrjen e nënshtetësisë greke pas aplikimit, nëse ata e dëshirojnë.
Në një periudhë kohore shumë të shkurtër pritet që të nëshkruhet vendimi ligjor i përbashkët nga dy ministritë greke, që do të hyjë në fuqi menjëherë.
Sipas nënkryetarit të organizatës Omonia për Greqinë, Jorgos Tzoumakas, janë të paktën 200.000 persona që disponojnë lejen dhjetëvjeçare të qëndrimit në Greqi. Prej tyre, rreth 75.000 kanë marrë nënshtetësinë greke, ndërsa mijëra të tjerë janë ende në proçesin e aplikimit.
Top Channel