BB, 20 vjet në Shqipëri

05/10/2012 00:00

Drejtoresha e Bankës Botërore për rajonin e Europës juglindore, Jane Armitage i ka cilsëuar si “histori suksesi” 20 vitet e pranisë së bankës në Shqipëri.

Gjatë një konference për të festuar këtë përvjetor, zonja Armitage tha se me ndihmën e bankës, Shqipëria ka ndryshuar jo pak.

“Në pesë vitet e mia si drejtore e bankës në Europën juglindore kam patur mundësinë të udhëtoj në çdo cep të këtij vendi, duke parë shkolla, spitale, sisteme ujitjeje, termocentrale, tregje dhe shumë vepra të tjera të financuara nga projektet tona. Unë personalisht jam dëshmitare e ndryshimeve të jashtëzakonshme që ky vend ka pësuar në vetëm 5 vjet”, deklaroi Armitage.

“Për 20 vite me radhë ky vend ka patur tek Banka Botërore partnerin më të shkëlqyer. Fjalët e para që burojnë nga zemra janë mirënjohja më e thellë dhe vlerësimi më i madh”, deklaroi nga ana tjetër kryeministri Sali Berisha, i cili befasoi jo pak të pranishmit kur tha se, për fajdet faj kishin edhe donatorët.

Për shkak të krizës, banka ka vendosur të rrisë financimet për Shqipërinë dhe aktualisht është duke negcoiuar me qeverinë një paketë të madhe kredish, që do të përdoren në projekte zhvillimi por edhe për të mbajtur kostot e borxhit nën kontroll.

“Ne kemi rënë dakord të dyfishojmë planin tonë të kredive për Shqipërinë. Fillimisht ne kishim menduar që për katër vitet e ardhshme të jepnim 200-250 milionë dollarë, ndërsa tani kemi vendosur të japim dyfishin e kësaj shume, që do të shkojë për të rritur konkurrencën dhe mbështetur rritjen ekonomike”, nënvizoi Armitage.

Banka Botërore është aktualisht donatori më i madh në Shqipëri, duke financuar ekonominë me kredi të buta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB