Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka mbërritur
paraditen e së enjtes në Prishtinë, ku do të marrë pjesë në Samitin
Ndërkombëtar të Gruas.

Fillimisht Albright është pritur nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA dhe atë personal të Albright ndaj Kosovës.

Pak ditë më parë, në një intervistë për të përjavshmen çeke “Tyden”, Albright mbrojti ndërhyrjen e forcave të NATO-s në vitin 1999 në Kosovë për të ndalur spastrimin etnik serb.

“Ajo që kemi bërë në Kosovë, për të ndalur spastrimin etnik, ishte diçka e drejtë. Besoj tek paqja, por nuk jam pacifiste. Mendoj se ndonjëherë duhet përdorur dhuna për të ndalur dhunën”, deklaroi Albright.

Ish-sekretarja u shpreh se, nëse qeveria e një vendi nuk është e aftë të mbrojë qytetarët e saj, atëherë i takon bashkësisë ndërkombëtare ta bëjë këtë gjë.

Gjatë intervistës ajo u pyet edhe në lidhje me privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, që ka shkaktuar shumë polemika në shtetin ballkanas.

“Për momentin nuk mund të flas për këtë çështje sepse jemi në mes të një proçesi. Por ne investojmë prej 7 vitesh edhe në vende të tjera si në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Bëhet fjalë për tregje në zhvillim, por ku mungon infrastruktura dhe këtë e bëjmë për të ndihmuar”, tha Albright.

Intervista me ish-sekretaren amerikane të Shtetit u bë me rastin e daljes në treg të librit të saj të ri me titull “Dimri i Pragës”.

Top Channel