
Kuvendi i Kosovës, ku do të votohej një mocion i opozitës për
ndërprerjen e proçesit të privatizimeve, ka ndërprerë punimet për shkak
të largimit nga salla të deputetëve të PDK-së.
Sipas raportimeve të “REL”, largimi në fjalë ishte një taktikë për të penguar votimin e mocionit të kërkuar nga dy partitë kryesore të opozitës, LDK dhe Vetëvendosje.
Por para se të arrihej deri këtu, gjatë seancës është vënë re një përplasje jo e vogël brenda partisë kryesore në pushtet PDK-së, konkretisht mes shefit të grupit Adem Grabovci dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Grabovci ka kërkuar që Kuvendi të vendoste në rend të ditës një rezolutë me të cilën kërkohej vazhdimi i proçesit të privatizimit. Por Krasniqi ka kundërshtuar duke thënë se një gjë të tillë nuk e lejon rregullorja dhe mes tyre kanë shpërthyer replikat.
Grabovci: “Ne nuk pranojmë që asnjë pikë e rendit të ditës të futet dhe seanca nuk do t’i zhvillojë punimet pa përfunduar pika e djeshme apo pa u votuar mocionet e djeshme”.
Krasniqi: “Unë veproj sipas rregullores së punës dhe jo sipas urdhërit tënd. Nëse të rrihet rri, nëse jo dil jashtë”.
Grabovci: “Dalim bashkë”.
Krasniqi: “Jo, unë nuk dal. Unë jam ai që vendos me rregullore dhe jo ju. Unë jam ai që vendosi tani”.
Pas këtyre polemikave, Kuvendi ka bërë një ndërprerje të shkurtër, e cila nuk i ka zgjidhur problemet. Në këtë situatë, PDK ka braktisur sallën duke pamundësuar vazhdimin e seancës.
Nga opozita largimi i partisë më të madhe në pushtet u interpretua si një reflektim i raporteve që aktualisht ekzistojnë përbrenda PDK-së.
Top Channel