Më shumë se dhjetë vjet të proceseve të privatizimit në Kosovë, janë debatuar për disa orë në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të thirrur enkas për këtë çështje.

Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili foli ndër të parët, është paraqitur mjaft kritik në një fjalim disa minutësh për privatizimin në përgjithësi, dhe mes tjerash ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë ndihmë nga SHBA dhe BE që të ndihmojnë në ndërprerjen e privatizimit derisa sa të forcohet sundimi i ligjit. Ndërsa ka thënë se këto institucione nuk kanë legjitimitet për të vazhduar me privatizim.

“Legjislatura e tashmë ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura, dhe institucionet kanë dalë nga këto zgjedhje, dhe si të tilla nuk e kanë legjitimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike”, tha Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
 
Kryekuvendari ka kritikuar edhe EULEX-in, duke thënë se kemi shpresuar se EULEX-i do të ketë një gjyqësi, por ky mision po e torturon opinionin me kriminelë e psikopatë të ndryshëm.
 
Nga ana tjetër, ministra nga kabineti qeveritar janë shprehur se detyrë e Qeverisë është të bëjë politika të mira, në mënyrë që sektori privat të bëjë zhvillimin ekonomik, ndërsa Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur në fund të debatit për procesin e privatizimit. Ai ka thënë para deputetëve se ky është detyrim ligjor e kushtetues.
 
Debati parlamentar për privatizimin, është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryetari i saj Albin Kurti duke folur për PTK-në dhe Distribucionin e KEK-ut që janë në procesin e privatizimit, ka thënë se krijimi i monopoleve private është i rrezikshëm, dhe këtë rast ka marrë shembull Shqipërinë, kurse në LDK janë shprehur se duhet miratuar një strategji për privatizimin e PTK-së dhe të rishikohen disa asete.
 
“Në shtete të dobëta si Kosova, por edhe si Shqipëria, krijimi i monopoleve private të fuqishme është i rrezikshëm sepse lehtëson kapjen e shtetit. Në rastin e CEZ-it shteti shqiptar ka pak aftësi ta kontrollojë këtë korporatë, ndërkohë që ajo ushtron presion mbi shtetin dhe e detyron KESH-in t’i shesë energji me çmim mjaft të lirë. Në Republikën e Shqipërisë korporatat si Albtelekom dhe CEZ e kanë kthyer në traditë abuzimin me faturat e telefonit dhe të energjisë, duke iu faturuar qytetarëve më shumë se sa ata harxhojnë”, tha Albin Kurti, kryetar i VV.

Gjatë këtij debati, deputetë të opozitës u shprehën se privatizimi në Kosovë ka lënë pa punë më shumë se 70 mijë persona.

Të enjten, më 4 tetor, deputetët do të votojnë për një mocion të paraqitur nga opozita, dhe rezolutën e paraqitur nga partitë e koalicionit qeverisës.

LDK, VV dhe AAK kërkojnë që Kuvendi të marrë vendim të pezullojë privatizimin derisa të plotësohen kushtet, siç është ai i PTK-së, deri në miratimin e strategjisë që definon interesin e Kosovës, si dhe të rishikohet strategjia energjetike.

Ndërkaq, rezoluta e paraqitur nga partitë e koalicionit, kërkoi që Qeveria të vazhdojë me zbatimin  e privatizimit, dhe që institucionet tjera të kryejnë obligimet kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA