Eurodeputeti slloven Jelko Kaçin ka deklaruar të enjten nga Prishtina se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është diçka jetike për proçesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Besoj se fati i personave të pagjetur duhet të zbardhet për hir të proçesit të pajtimit dhe hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërmjet kosovarëve dhe serbëve”, ka thënë Kaçin.

Ai është shprehur se, “kjo çështjet duhet të jetë patjetër një nga temat që do të diskutohen në dialogun e nivelit politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian ka shtuar më tej se, familjet duhet ta dinë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.

Kaçin mbyll sot vizitën dyditore në Kosovë, gjatë të cilës është takuar me numrin dy të misionit EULEX, Andy Sparks, kryeministrin Hashim Thaçi dhe shefin e zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, 13 vjet më parë, nuk dihet ende asgjë mbi fatin e rreth 1.700 personave që konsiderohen të zhdukur.

Top Channel