SHBA-Rusi përshëndesin zgjedhjet gjeorgjiane

03/10/2012 15:55

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia u bashkuan në përgëzimet për procesin zgjedhor në ish-Republikën Sovjetike të Gjeorgjisë dhe në urimet e tyre për udhëheqësit e rinj të vendit me 4,5 milionë banorë.

Presidenti Mikheil Saakashvili pranoi të martën humbjen ndaj bllokut opozitar të udhëheqësur nga Bidzina Ivanshvili, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Katër vjet pasi Gjeorgjia u përfshi në një luftë të përgjakshme me Rusinë, e cila i kushtoi “de facto” humbjen e kontrollit mbi dy krahina të banuara me shumicë ruse, Moska u shpreh se shpreson që ndryshimi i ri në Tbilisi të shërbejë për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëse.

Uashingtoni, nga ana e tij e cilësoi këtë votim si një “gur themeli” në zhvillimin demokratik të Gjeorgjisë dhe theksoi se vendi vendosi një shembull të ri rajonal e botëror duke udhëhequr këtë fushatë konkurruese zgjedhore.

Bashkimi Europian gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për këtë rotacion politik dhe për zgjedhjet brenda parametrave ndërkombëtare.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Ivanshvili duket se ka fituar rreth 55% të votave ose 77 vende në parlamentin me 150 anëtarë.

Mbështetësit e opozitës, ndërkohë festuan për të dytën natë radhazi në kryeqytet, por puna e qeverisë së re pritet të jetë e vështirë që në fillim.

Gjeorgjia përballet me vështirësi të shumta ekonomike, probleme me pakicat e shumta brenda vendit, marrëdhënie të tensionuara me fqinjët dhe ka nevojë për reforma të thella dhe urgjente.

Sigurimi i një shumice prej vetëm dy deputetësh më shumë se gjysma, do ta bëjë edhe më të vështirë për qeverinë e re të Ivanshvilit që të realizojë reformat e domosdoshme.

Top Channel