Përvjetori i Pavarësisë dhe shteti privat

03/10/2012 00:00

ARTAN MULLAJ – Si një kontratë mes njerëzve, shteti perceptohet edhe si
opsioni që qytetërimi ka pranuar për të menaxhuar pasojat e instinkteve
të rebelimit që fshihen si djaj, nën lëkurën e tyre (njerëzve).

Në mos për t’i menaxhuar, për t’i kontrolluar ato. Me fjalë të tjera, shteti përbën një premisë, atë të një beteje të filluar qysh nga krijimi: betejës midis arsyes dhe instinkteve. (betejës midis qenies dhe nënqenies). E thënë ndryshe, shteti përkufizohet si një marrëveshje e hershme mes gjallesash inteligjente. A mund të thuhet se shteti është instrumenti i arsyes njerëzore për të kontrolluar anarkinë dhe spontanitetin e dinamikës së instinkteve që kërcënojnë normalitetin? Natyrisht. Më pas, fare natyrshëm, misionet e këtij organizimi që quhet shtet dhe mund të titullohet edhe “ankthi planetar kundër rebelimit” vijnë radhë pas të parit. Si një mekanizëm publik i ndërtuar mbi privatësinë e të interesuarve, shteti, duke zhvatur një copë të lirisë së çdo individi, ka për detyrë t’ua kthejë atë përsëri njerëzve në formën e zhvillimit social e publik, duke stimuluar të mirën publike, sigurinë e jetës, barazinë, moralin dhe drejtësinë.

Epo si nocion, filozofia e shqiptarëve për shtetin, nuk ndryshon dhe nuk ka pse të ndryshojë nga ajo e popujve të tjerë. Tani që jemi pranë 100-vjetorit të pavarësisë, që do të thotë përvjetor shekullor i shtetit tonë, ne kemi një Kushtetutë që nuk ka të sharë, midis kushtetutave të tjera në rajon. Por midis nesh dhe vendeve normale të rajonit ka megjithatë një dallim thelbësor. Shqiptarët kanë shtetin e tyre, që funksionon mbi bazën e një Kushtetute, por ligjet e saj nuk zbatohen, madje shkelen në atë shkallë, saqë kjo gjë sjell një transformim përmbysës thelbësor në mënyrën se si funksionon shteti ynë.

Këtu qëndron ndryshimi. Me fjalë të tjera ne kemi shtet, si popujt e tjerë, madje kemi edhe një përvjetor, por ky shtet është larg natyrës publike që duhet të ketë në përputhje me arsyen se përse ky shtet është krijuar dhe përse funksionon.

Përkundrazi, ky është një shtet që ngjan me një biznes privat të qeverisë, si një përjashtim dhe si një debulesë instiktive shtetasish, të cilët kanë zhvilluar shqisën e gjashtë të tolerimit për gjithçka ndodh në jetën e tyre, mund të supozohet se privatësia e shtetit shqiptar është shndërruar në një karakteristikë kombëtare.

Qeveria në një shtet privat nuk është veçse një administratë private që menaxhon jo qeverisjen, por sundimin. Administrata private zakonisht janë diktaturat, por mund të jenë edhe demokracitë e trazuara, si kjo e jona, ku ekonomia e tregut, biznesi dhe fitimi, janë perceptime të vrazhda pushtetarësh në shërbim të pasjes së pamerituar dhe babëzisë. Këto perceptime të pushtetarëve ngrihen mbi kontradiktën që ekziston mes misionit dhe vizionit të njerëzve që qeverisin dhe bëjnë politikë. Të shohim konkretisht. Pa lënë mënjanë pasanikët e vjetër pushtetarë të kohës së Berishës President, apo Nanos e Metës Kryeministër, shumëkush mund të vërë në radhë politikanët e rinj multimilionerë. Qënkan shtuar çuditërisht shumë, duke ndenjur kryesisht me duar në xhepa. Kush janë këta njerëz që kanë bërë ëndrrat e fëmijëve të tyre realitet me shkopin magjik? Janë pikërisht ata, kundërshtarët më të spikatur të kundërshtarëve të vet dhe militantët kobëmëdhenj, që trazojnë ndërgjegjen e qytetarëve të thjeshtë, sa me fatin, sa me paratë, aq me mediokritetin e tyre. Këta shkojnë në punë edhe në taverna me fuoristrada 100 mijë euroshe, kanë jahte dhe kanë vëllezër, kunetër, baxhanakë deri edhe të dashur apo të dashura fitues tenderësh e koncesionesh apo zotërues monopolesh në tregun më të mjerë të Ballkanit. Fuqia e mediokritetit kësisoj nuk është rastësi. Është në logjikën e shtetit privat të shqiptarëve. Është fatalitet i ndërgjegjshëm dhe i paramenduar, po aq sa zhvillimi është i kushtëzuar nga injoranca në pushtet. Tregu nuk është treg, por kopsht i pronarëve të shtetit, ku mbjellin dhe korrin familjarët e tyre dhe besnikët e tyre. Këta besnikë janë drejtorët qelizorë që nuk u hyn kurrë asnjë gjemb në këmbë çfarëdo që të bëjnë me ndërmarrjet dhe institucionet, sepse as shefave të tyre nuk u plas kurrë për asnjë gjë. Vartësit janë të nevojshëm aty ku janë, si fshikullues të fatit njerëzor dhe pasurisë njerëzore në bazën e piramidës. Mbi ta është maja. Deputetë e ministra fodullë të mazhorancave që sillen me ministritë dhe me institucionet e shtetit privat si me kunatat e tyre. Dhe pastaj maja e majave është ekskluziviteti ekzekutiv i shtetit privat. Njëshi, me frerët e profetit Ilia në duar…

***

Le të hedhim pak dritë mbi mundësitë tona. Do të shohim atje, në mes të fosforit, ironinë e fatit të njerëzve të thjeshtë. Ka disa pyetje për koment, që nuk duan përgjigje, sepse përgjigjet merren me mend. Cilat janë bizneset më të fuqishme në vend, dhe pse? Cilat janë mediat më të pushtetshme në vend edhe pse? Pse gjykatat tona nuk mund të prodhojnë drejtësi dhe përse prokuroria nuk ka rol në jetën publike, ku akuzat shthuren e shtohen përditë dhe fajtorë asnjëherë nuk ka? Sa transparencë ka për qytetarët dhe përse psherëtimat e shpirtthjeshtëve paralajmërojnë se të tillë nuk mund të ketë kurrën e kurrës. Pse disa media, që gllabërojnë fondet publike për reklama të qeverisë, joshin pushtetin, si kamerieret në lokalet e natës joshin klientët e pasur? Përse e vërteta që thuhet nga ato është e errët si nata dhe përse, shpërfillshëm, shpesh zbatohen projekte gabim dhe shpenzohen para publike gabim të marra borxh në bankat, gabim brenda dhe jashtë. Të gjithë e dimë, përgjigjja është e thjeshtë: në Shqipëri nuk ekziston shteti publik, marrëveshja është prishur. Shteti nuk i shërben publikut, por i shërben administratës prej së cilës, vetë shteti, për rrjedhojë edhe qytetarët, sundohen. Pra shteti tek ne nuk është një instrument për të bërë punë të mira publike, por është një pronë. Pronë e kujt? Pronë e banditëve të pushtetit.

Si në çdo pronë private, edhe këtu, pronari apo pushteti, (qeveria), menaxhon biznesin për të rritur ekstremisht fitimet e veta, në dëm të palës tjetër, në këtë rast, popullit. Është një menaxhim i shkëlqyer në kurriz të jetës publike dhe rezultatet duken që larg. Sot, në projektet e ëndrrave të njerëzve të piramidës private të shtetit, nuk janë më si dikur, fuoristradat dhe vilat luksoze. Ka kaluar kjo kohë e brishtë arritjesh fillestare. Tani pasioni i tyre janë multimilionat. Çdo investim, çdo vendim, çdo privatizim, çdo projekt, çdo shitje pronash shtetërore a trualli shtetëror, vendasve apo të huajve, u shërben jo më shqiptarëve, por i shërben këtij pasioni me përmasa të frikshme. Çdo ditë, ky pasion shndërrohet në babëzi të rrezikshme për pasuri dhe pushtet të njerëzve që janë në pushtet…

Populli hesht. Bën sehir. Si ai njeriu që shikon në pasqyrë afrimin e kobshëm të pleqërisë nëpërmjet rrudhave të shtuara dhe qimeve të thinjura. Përballë kësaj babëzie, turma nuk ka fuqi të kundërshtojë. Përballë këtij pasioni, si një konkurrencë e munguar, shfaqet inercia popullore e tolerimit; ç’vazhdim i trishtë i problemeve të mëdha që ka ky vend! Te ne abuzohet përditë me shpresën e humbur publike për të pasur një shtet të vërtetë, një shtet publik, që do t’u shërbente qytetarëve, por edhe arsyes se përse shteti zakonisht krijohet dhe ekziston. Por, pse abuzohet? Dhe pastaj, përse nuk kundërshtohet? Kush mund ta thotë. Taksapaguesit u binden instinktivisht ligjeve të shtetit privat, por edhe inercisë së rutinës, që do të thotë se shqiptarët pranojnë kaq shumë në kurrizin e tyre, sa ngjajnë vazhdimisht me një komunitet pa rezistencë dhe pa identitet. Mund t’i gënjesh, ata të dëgjojnë. Mund t’i shpërdorosh, mund t’i fyesh, mund t’i lësh në harresë, ata sillen si besimtarë. Mund t’i lësh pa energji, pa ilaçe, pa drejtësi, pa shpresë, ata do të jenë etalon i durimit.

***

Ashtu si diktaturat, shtetet private në vende me demokraci të sëmurë si Shqipëria, kanë momentet e veta, që bëjnë diferencën, pra edhe mallkimin: Në Shqipëri nuk vlerësohen vlerat civile, intelekti, talenti i rinisë, por shpërblehen fort shërbimet private të bazës për kupolën. Aftësia nuk është kriter, sepse besnikëria është kusht për karrierë. Liderët e kanë përpjekur fort kokën në përzgjedhjen e njerëzve që mbajnë rrotull, jo sepse duan që ata të jenë më të aftët dhe më të mirët. Ekipet nuk janë të tilla, sepse liderët duan të ndërtojnë klane besnikësh, me dyer të mbyllura.

Ku janë vizionarët e pushtetit, ambiciet e tyre, në këtë kohë të mrekullueshme për të bërë karrierë publike? Nuk ka! Nuk ka, sepse ky është një shtet privat, që ushqen vetëm lakmitë. Ku janë vlerat, përparimi, mirëqenia dhe sidomos, pse nuk ka sinqeritet për mungesën e tyre. Rreth vicioz, rrugë pa dalje, hapësirë boshe, sepse ne, ndryshe nga fqinjët perëndimorë që aspirojmë, jemi të dënuar dhe të ndëshkuar të jetojmë nën thundrën shtypëse të një shteti privat.

Korrupsioni nuk është rastësi në Shqipëri. Nuk është as një fenomen kaq thjesht shoqëror. Është një kusht themelor. Është shkaku i shndërruar në pasojë dhe anasjelltas, për të përligjur, apo së paku, shpjeguar dukurinë dhe dinakërinë e pushtetit. Lidhja është e fuqishme. Korrupsioni është kushtetuta e heshtur e shtetit privat, neni i parë i së cilës flet për manipulimin zgjedhor. Ky manipulim është si trokitja e parë e fatalitetit publik të taksapaguesve. Çfarë ndodh për rrjedhojë? Korrupsioni nuk është vetëm vjedhja dhe pandershmëria teorike e shtetit, por edhe ushqimi real i pushtetit. Përposh demagogjisë për luftën zero tolerancë, fshihet nënqeshja dinake e autoritetit privat. Pushteti e di se korrupsioni i thellë do të thotë qeverisje e gjatë dhe liderë që piqen, digjen e mplaken në politikë… Nëse je në pushtet, nuk është se bën çfarë të duash, por sundon sa të duash.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA