Linçimi cinik i Kadaresë

03/10/2012 00:00

DORIAN KOÇI – Në tavolinën time të punës qëndron një foto. Nuk është një
foto familjare apo foto pushimesh si mund të ndodhë rëndom që njerëzit
të mbajnë në tavolinat e tyre të punës, apo dhe ndonjë foto e vjetër
kujtimi të paraardhësve që mbush me krenari dhe të sotmen.

Jo, është një foto e thjeshtë e një pikture bardhezi e shkrimtarit Ismail Kadare. Të kuptohemi, jo sepse nuk kam foto familjare, pushimesh apo paraardhësish të suksesshëm, por mendoj se në tavolinën e punës, vendi u duhet lënë mjeshtërve të mëdhenj të fjalës. Është një foto-skicë pikture e thjeshtë e tij, e shkëputur nga një libër i përmbledhjeve të tij të poezisë së mesit të viteve ‘70. Nuk është foto nga këto të sotmet, me retushim e shkëlqim, as me sfonde pompoze mbrapa, por me një dritëhije bardhë e zi, ku mes xhamave të trashë të syzeve të tij, shkëlqejnë sytë inteligjentë. Duket sikur kjo foto është në harmoni dhe me përmbledhjen poetike, ku pasqyrohet vepra më e mirë e tij poetike që nga vitet ‘50 e deri në mesin e viteve ‘70. Pse e them këtë gjë? Sepse në dallim nga foto të tjera shkrimtarësh e poetëve që u botohej vepra në vitet ‘70, portreti i tij ngjan modern, bashkëkohor. Nuk ka aty atë shikimin e përhumbur drejt së ardhmes që moda zhdanoviste ua kish përcjellë të gjithëve, as kostumin e kravatën serioze të patriarkalizmit shqiptar që dëshironte të imponohej gjithandej, në të kundërt, shkrimtari e poeti është i veshur me një golf që i mbulon grykën dhe që e bën krejt të veçantë portretin e tij nga gjithë tufa e shkrimtarëve të tjerë të Realizmit Socialist.

Në fakt, ajo çfarë e ka karakterizuar jetën dhe veprën e tij është modernizmi, një fjalë që publiku masiv shqiptar e ka zbuluar duke lexuar veprën e tij. Të jemi të sinqertë, jo se nuk ka shkrimtarë të tjerë shqiptarë që kanë influencuar në shijet e lexuesve, por askush nuk ka pasur një audiencë kaq të gjerë e të larmishme si Kadare. P.sh. të gjithë shkrimtarët shqiptarë janë tunduar të trajtojnë si temë kundërvënien e shqiptarëve me të huajt, hendekun dhe keqkuptimet midis dy kulturave të ndryshme. Mirëpo, pothuajse të gjithë e kanë parë si heroike, si epikë pa mbarim, njëfarë “Iliade”, ku dyluftojnë vetëm heronj, pa pikëllimin e trishtueshëm të vrasjes së Hektorit dhe zvarritjes së tij në tokë, ndërsa romani i parë i Kadaresë, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i ka të gjitha emocionet e botës njerëzore. Aty bashkëjetojnë edhe fitorja edhe humbja, edhe dhimbja edhe gëzimi, edhe satira edhe cinizmi. Me pak fjalë është një vepër universale, që lexohet nga të gjithë, në çdo kohë dhe epokë, dhe që nuk përcjell kumte vetëm të njohura për lagjen e autorit apo një audience që nuk shkon më tepër se Shqipëria, por gjithë njerëzimi. Këtë karakteristikë e kanë të gjithë romanet e Kadaresë, ndaj është shkrimtari më i lexuar në Shqipëri, ndaj është shkrimtari shqiptar më shumë i pranuar nga bota letrare edhe jashtë vendit.

Mirëpo të këtij mendimi nuk janë të gjithë shqiptarët. Mes tyre, shquajnë që nga ata që mund të lidhin dy vargje e deri te shkrimtarë profesionistë, analistë, intelektualë etj. Sigurisht është fat i mirë që jo të gjithë jemi në një mendje, pasi kështu mund të dialogohet më mirë për një vepër letrare, por është fat i keq që ana letrare e kësaj vepre nuk gjykohet fare dhe në skenë thërriten fakte nga jeta e shkrimtarit që s’kanë të bëjnë aspak me veprën e tij. Të tillë janë p.sh. dy letrat e fundit të publikuara nga një gazetë të së vesë së Diktatorit, “kasafortës” së tij në gjallje e pas vdekjes, ku shkrimtari shqiptar, sipas kritikuesve, bën më të paimagjinueshmen: i kërkon një shtëpi! Ky argument banal që së bashku me argumente të tjerë trajtohen herë pas here në shtypin shqiptar, duken sikur janë një lloj adrenaline dashakeqëse për të kuruar gjithë xhelozitë provinciale të shqiptarëve. Sado që sindromi i rrëfenjëzës që tregon Konica mbi shqiptarët që s’dinë se ç’dhuratë të marrin për një të mirë që kanë bërë, përveçse se i bëjnë keq njëri-tjetrit tingëllon si një realitet surrealist që ekziston vetëm në imagjinatën e Konicës, në të vërtetë ai është pjesë e pandashme e jetës sonë e që nxjerr krye sa herë në horizont shfaqet ndonjë vlerësim ndërkombëtar për ndonjërin nga ne. Në këtë sens, Nënë Tereza është e shpëtuar që e mori çmimin “Nobel” e propozuar nga jashtë, jo si qytetare shqiptare, se po të ishte për nga Shqipëria, “hulumtuesit tanë shumë të zellshëm” do të zbulonin se vëllai i saj kish qenë oficer në forcat kuislinge me italianët, madje-madje kish qenë hierarku kryesor që kish dhënë të gjitha dënimet, e se për këtë gjë viktimat e fashizmit nuk mund të falnin dhe gjithandej do organizoheshin dhe do shkruanin letra e deklarata që Nëna e shenjtë të mos e meritonte atë titull. Me pak fjalë, sharro degën ku qëndron e ke bërë fole, për të bërë dru, pa pyetur se po e rrëzon gjithë shtëpinë! Për të gjithë ata që janë njerëz të letrave është shumë i qartë cinizmi dhe mënyra sesi i trajtonin Perënditë e Olimpit komunist të “thjeshtët”, shkrimtarët. Gjithkujt mund t’i vijë ndërmend rasti i Bulgakovit, autorit të romanit të famshëm “Mjeshtri dhe Margarita”, i cili sa ishte gjallë Stalini asnjëherë nuk botoi asnjë libër, por gjithmonë telefonohej nga diktatori për t’i dhënë shpresë. Rasti i Kadaresë s’është i tillë, pasi ai ka botuar vepra letrare, por cinizmi i diktatorëve s’do mend që është i njëjtë dhe mund të shfaqet në formën e kujtesës së një kërkese për shtëpi apo pretendimin për faljen e një dorëshkrimi që s’ndodh asgjëkund. Për më tepër cinizmi, kur nuk dënohet e nxjerr kokën dhe shumë vite më pas, si rastësisht për t’u vënë sërish në qendër të vëmendjes e përpjekur të sfumojë, një vepër letrare.  Krimi i madh i Kadaresë në letrën dërguar Nexhmije Hoxhës ishte se kërkonte një shtëpi me sipërfaqe më të madhe, në një kohë që ishte një nga shkrimtarët më të lexuar në Europë dhe jetonte në 40 metra katrorë! Po mirë, a u ka shkuar ndonjëherë në mendje këtyre “shkrimtarucëve” të vegjël që bëjnë apologjitë e moralit, se ku shkonin paratë e fituara nga shitjet e librave të autorit? Apo s’ka gjë, e drejtë e autorit le të jetë shkelur, gjërat nuk i dimë, por korin e ndrikullave që flasim kot edhe mund ta bëjmë. Cila do ishte rruga për të përfituar një shtëpi? Ti shkruante kryetarit të frontit të lagjes? Ta diskutonte në mbledhjet e organizatave të masave, ku ndoshta do t’i kthenin përgjigje se është para teje në listë veterani X, luftëtar i shquar, apo novatori Y që po çan bllokadën me risitë e tij në prodhim?

Është për të ardhur turp me këtë gjë që i ndodh shkrimtarit tonë të madh çdo fillim tetori. Nuk u besoj teorive të konspiracionit por nuk arrij ta kuptoj se ç’është kjo stuhi denigrimi dhe përbaltje që ngrihet vit pas viti kundër shkrimtarit Kadare? Në vëllimin në fjalë prej nga kam foton që mbaj në tryezën time të punës, janë të përfshirë pothuajse të gjitha poezitë e tij më të mira, jo ajo që i dedikohej Stalinit dhe që “studiues shumë të zellshëm” për të hulumtuar nga arkivat, e nxorën në dritë nga faqet e zverdhura të së harruarës Zëri i Rinisë, por janë poezitë që na drithërojnë ende shpirtin si “Mall”, apo “Në Parkun që mbuluan fletët”, poezitë që ende shkaktojnë dhembje si “Mësueset e fshatit”, por dhe “Përse mendohen këto male” dhe “Vitet ‘60” që paskan ndihmuar për të rrënjosur nacional-komunizmin si pretendojnë disa dekonstruktues, a thua se krenaria për atdheun përbëka një krim të dënueshëm. Gjithsesi, sido që të jenë zërat kritikë apo dashamirës, asnjë s’mund ta mohojë faktin se e tërë vepra e Kadaresë rrezaton një talent të madh, që për çdo komb do të ishte një nder i veçantë për ta pasur si kod përfaqësues dhe deshifrimi të tij e aq më tepër, kur kjo vepër tërheq vëmendjen e lexuesve botërorë dhe mund të vlerësohet me çmimin e madh “Nobel”. Në fund të fundit Ars longa, vita brevis – Arti është i pavdekshëm, jeta është e shkurtër thonë latinët, por një pjesë e  vdekatarëve të sotëm që me cinizmin e tyre s’po e vlerësojnë artin e vërtetë, duhet të mendojnë se pasardhësve të tyre do t’u vijë rëndë që i patën gjyshërit të rreshtuar në llogoret e së keqes.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA