Sigurisht që Bayern Munchen nuk e mendonte një përfundim të tillë të transfertës ndaj BATE Borisov, ndeshje ku u mund 3-1 në takimin e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve.
Bjellorusët arritën në këtë mënyrë fitoren e parë në shtëpi në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, ndërsa bavarezët pësuan humbjen e parë pas nëntë fitoresh radhazi në këtë sezon.
Trajneri Jupp Heynckes deklaroi pas ndeshjes: “E dija që do të kishim përballë një rival të fortë dhe të organizuar në mbrojtje. Kundër një ekipi të tillë duhet të kalosh shpejt në avantazh dhe ne nuk e bëmë këtë gjë. Ata luajtën në mënyrë të shkëlqyer në kundërsulm dhe portieri kundërshtar bëri pritje fantastike. E merituan fitoren.”
Portieri Manuel Neuer theksoi: “Na vjen keq që pësuam një humbje të tillë. Tani duhet të fitojmë dy ndeshjet ndaj Lille dhe me nëntë pikë gjendja e grupit do të normalizohet për ne.”
Top Channel