
Enver Sekiraqa, deri para pak ditësh njeriu më i kërkuar në Kosovë, duket se do të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Kështu njofton e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, sipas të cilës Sekiraqa do të rrëfejë për veprimtaritë kriminale që zhvillohen në Kosovë.
Për këtë arsye, sqaron burimi, ai po trajtohet si bashkëpunëtor nga autoritetet e EULEX-it dhe aktualisht ndodhet në seksionin e rezervuar për këtë kategori në burgun e Dubravës.
Ndërkohë, autoritetet e Policisë së Kosovës nuk janë në dijeni të këtyre zhvillimeve, të cilat po drejtohen nga një prokuror i misionit evropian për rendin dhe ligjin.
Burime brenda proçesit kanë thënë se Sekiraqa ka informacione në mënyrë të veçantë për Policinë e Kosovës dhe për përvojën e tij si i burgosur në një kamp të UÇK-së.
Ditën e premte, pas orës 15:00, Sekiraqa u vetëdorëzua në policinë e EULEX-it. Vetëm pak më vonë zëdhënësi i misionit, Blerim Krasniqi konfirmoi zyrtarisht lajmin.
“Enver Sekiraqa është vetëdorëzuar tek policia evropiane e cila dhe e ka arrestuar. Pritet që ai të merret në pyetje nga një prokuror i Prokurorisë Speciale”, tha Krasniqi.
Enver Sekiraqa akuzohet për vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, por edhe për vepra të tjera penale.
Më herët për vendodhjen e tij ka pasur njoftime se ai ishte në Republikën e Irlandës, ndërkohë që pak ditë para dorëzimit dështoi një aksion i policisë për ta arrestuar atë në Prishtinë.
Gjatë ditës së premte u raportua gjithashtu se policia arrestoi Agron Eminin dhe Shpend Bobajn, dy persona nga klani i Enver Sekiraqës.
Këta dy të dyshuar ishin autorët e plagosjes që ndodhi ditë më parë afër kinemasë “ABC” në Prishtinë, ku mbeti i plagosur shtetasi Fisnik Vitija.
Top Channel