Dhjetëra punëtorë të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në krye me Federatën Sindikale të Pavarur të PTK-së kanë protestuar të martën në mëngjes, para ndërtesës kryesore, për të shprehur pakënaqësinë rreth privatizimit.

Protesta është organizuar në ditën kur disa nga kompanitë e interesuar për privatizimin e PTK-së ishin për vizitë aty. Milazim Alshiqi, kryetar i Federatës Sindikale, ka ripërseritur se janë kundër privatizimit, ngaqë sipas tij, është duke ndodhur pa asnjë bazë ligjore dhe se askush nuk po merret me punëtorët pavarësisht premtimeve.

Alshiqi thotë se ka presion nga punëtorët që t’u bëhet një zgjidhje dhe se sipas tij, është e pashmangshme t’i iket radikalizmit nëse përgjegjësit e privatizimit nuk e shtyjnë këtë proces.

Ata po kërkojnë bisedime si dhe shtyrje të procesit të privatizimit, në të kundërtën thonë se do të shkatërrojnë gjithçka, shkruan KosovaPress. Pas kësaj proteste nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ku thuhet se procesi i privatizimit të PTK-së është duke u realizuar me transparencë të plotë dhe sipas ligjeve të Kosovës.

Aty sqarohet se asnjë i punësuar në PTK nuk do të mbetet pa punë dhe vendet e tyre të punës i kanë të garantuara për tre vjet. Dhe krejt në fund të komunikatës thuhet se “E drejta për protesta është e drejte e garantuar me Kushtetutën e dhe me ligjet e aplikueshme të vendit, mirëpo kërcënimet për ndërmarrje të masave radikale siç janë shkatërrimi i aseteve të PTK-së, tejkalon angazhimin për të drejtat sindikale dhe është çështje me të cilën duhet të merren organet përgjegjëse të shtetit”.

Top Channel