Ekspozita e piktorit Thimio Fili e çelur në Gjirokastër në prag të
100–vjetorit të Pavarësisë ka prezantuar 38 punime të reja krejt
origjinale.
Ekspozita e titulluar “Vjeshta po troket” tejkalon ngjyrimin natyral të stinës dhe priret të sjellë më shumë optimizëm dhe harmoni në peisazhin e shkëputur prej qytetit të Gjirokastrës dhe parkut të Viroit.
Autori është një njohës i mirë i ngjyrave dhe specialistët e pikturës vlerësuan se ka përdorur me mjeshtëri të kuqen, të blertën dhe blunë në shumë prej pikturave të ekspozuara. Vetë autori e shpjegon vërshimin e ngjyrave me idealizimin që artisti dëshiron t’i bëjë mjedisit ku jeton me atë sesi do të donte ta shihte realitetin po njëherazi dhe një thirrje për të mbrojtur natyrën që po degradon.
Punimet përveçse natyrë e qetë apo peisazh sjellin aty këtu edhe kompozime abstrakte apo meditative. Ekspozita me punime në format të vogël pritet të qëndrojë e hapur tri ditë, ndërsa kjo është ekpozita e katërt dedikuar Gjirokastrës, ku autori frymëzohet prej qytetit të tij të lindjes.
Top Channel