Zëvendëskryeministrja serbe për Integrimet Evropiane, Suzana Grubjeshiç ka deklaruar se Serbia nuk duhet të ngutet për të plotësuar kriteret e anëtarësimit në BE.

“Ne nuk duhet të nxitojmë dhe Serbinë duhet ta ndryshojmë për nevojat tona dhe jo për shkak të kërkesave të Berlinit apo Brukselit”, ka deklaruar Grubjeshiç, e cituar nga “Danas”.

Deklarata e saj përputhet me atë të bërë në fundjavë nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, se Serbia nuk po ngutet më për t’u bashkuar me BE-në.

“Një dekadë e tërë gjatë të cilës nxituam drejt BE-së na solli vetëm varfëri”, deklaroi Nikoliç në kongresin e Partisë Progresive Serbe të mbajtur ditën e shtunë.

Por deklarata në fjalë bie ndesh me ato të bëra më herët prej tij, sidomos kur u zgjodh president, kur tha se prioritet i qeverisjes së tij do të ishte integrimi.

Ndoshta lidershipi i ri serb është joshur nga sugjerimet e Moskës, që disa herë ka thënë se Ballkani ka edhe alternativa të tjera përveç anëtarësimit në BE.

Faktikisht Rusia është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Serbisë dhe marrëdhëniet dypalëshe vazhdojnë të jenë në situatën e tyre më të mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA