Përfaqësues të partive politike në Kosovë reagojnë në mënyra të ndryshme rreth idesë së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, që qytetarët përmes referendumit të përcaktoheshin nëse janë ose jo për bisedime politike me Serbinë.
Mustafa, pasi e kishte hedhur këtë ide në një intervistë për Top Channel në muajin gusht, e ripërsëriti atë gjatë festimeve për Ditën e Rinisë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë së hënës nuk ka shprehur qëndrimin e tij personal për këtë ide, por e ka parë të nevojshme që subjektet politike të mblidhen në një tryezë ku do të unifikohej qëndrimi për këto bisedime të paralajmëruara.
“Partitë politike duhet të vendosin urat e komunikimit, në mënyrë që të arrihet një qëndrim i përbashkët, natyrisht duke pasur parasysh edhe Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, deklaroi Krasniqi.
Ndërkaq, zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi citohet të ketë deklaruar se nuk ka arsye për referendum. “Askush s’po do që të bëjë zgjidhje jashtë Kushtetutës e jashtë asaj që ka paraparë Kuvendi që të shkoje në referendum”, ka thënë Kuçi.
Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, që ka shumicën në Kuvend, nuk përkrahin idenë e Mustafës, pasi sipas tyre janë institucionet e Kosovës që përfaqësojnë interesin e qytetarëve.
“Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë të cilësohet nga askush për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Të thirrur për t’i mbrojtur këto interesa janë përfaqësues institucionalë të zgjedhur nga populli. Prandaj, ideja për referendum është humbje kohe”, ka deklaruar Adem Grabovci, shef i grupit kuvendor të PDK-së.
Nga ana tjetër, LDK ka mbrojtur idenë e referendumit, pasi sipas saj kjo është çështje nacionale. “Nuk di se për cilën çështje tjetër duhet të organizohet referendum sesa për këtë, kur shihet se mund të cënohet sovraniteti i vendit”, ka thënë Ismet Beqiri, shef i grupit kuvendor të LDK-së.
Ndërsa në lëvizjen Vetëvendosje janë shprehur për jetësimin e saj, veçse duhet të bëhet ligji për referendumin, që sipas Glauk Konjufcës do të bëhej në një kohe të shkurtër. “Ky ligj duhet të sillet në Kuvend dhe të miratohet, në mënyrë që proçese të tilla t’i nënshtrohen vullnetit të popullit”, ka thënë Konjufca.
Deri më tani ende nuk është diskutuar se në çfarë forme do të prezantohet Kosova në dialogun me Serbinë. Në mediat kosovare ditëve të fundit është përmendur kryeministri Hashim Thaçi si kandidat potencial për të përfaqësuar Kosovën, por deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje nga qeveria.
Top Channel