Me protesta dhe përleshje nis viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës. Ceremonia solemne e dorëzimit të detyrës nga rektori Mujë Rugova te rektori i ri Ibrahim Gashi doli jashtë planifikimeve pasi një grup studentësh kundërshtoi ashpër menaxhmentin e ri, por edhe ndryshimet në statut.

Përleshja nisi kur studentët arritën te dera e objektit të Rektoratit, ku tentuan të hyjnë brenda për të penguar pranim-dorëzimin e detyrës së rektorit. Pas kësaj përleshjeje mes policisë dhe studentëve 9 të rinj janë shoqëruar në polici.

Ndërkohë, me të dalë nga objekti i Rektoratit, ish-rektori Mujë Rugova u sulmua me vezë nga studentët. Disa orë më vonë ndërhyri edhe Njësia Speciale e Policisë, duke i larguar studentët përtej oborrit.

“Kemi shprehur pakënaqësinë me emërimet e reja politike që kanë ndodhur në Universitetin e Prishtinës, më saktë, të pro-rektorëve, konkretisht të pro-rektorit për çështje arsimore, Nuri Bexheti. Ne kemi paralajmëruar një protestë që do të jetë simbolike e Parlamentit Studentor, mirëpo nuk kemi bërë ndonjë ftesë publike. Por spontanisht, studentë të UP-së na janë bashkëngjitur, duke marrë parasysh gjendjen e mjerueshme që ekziston në Universitetin e Prishtinës”, deklaroi Musa Preteni, nënkryetar i Parlamentit të Studentëve të UP-së.

I menjëhershëm ishte reagimi i rektorit Ibrahim Gashi. “Nuk ishte një situatë e mirë, por e drejta e protestës është legjitime. Ne jemi këtu për studentët, por protestat e tyre nuk duhet të kalojnë në dhunë ndaj institucioneve”, deklaroi Gashi.

Për më tepër, lëvizja studentore për “Barazi, Studim, Kritikë, Veprim”, “Klubi politik i studentëve të UP-së” dhe “Paqja studentore” kanë dërguar një letër për të gjithë deputetët e Kuvendit nga të cilët kërkohet që, gjatë kësaj jave të hidhet në votim draftstatuti i UP-së.

Studentët u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë kundër këtij drafti, pasi sipas tyre statuti i ri është hartuar nga Këshilli Drejtues dhe Rektorati i UP-së në mënyrë të fshehtë dhe pa diskutim brenda UP-së.

Top Channel