Eurodeputetja gjermane, Doris Pack ka deklaruar se në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit opsionet për ndryshimin e kufijve apo ndarjes së Kosovës nuk duhet të përfshihen në axhendë.

“Nuk e di se ç’kanë në kokë politikanët në Beograd dhe ata në Prishtinë, por mendoj se nuk duhet të lejojmë asnjë ndarje apo ndryshim të kufijve”, ka thënë Pack për “REL”.

Eurodeputetja është shprehur se edhe bisedimet që do të përqendrohen mbi veriun e Kosovës nuk duhet të devijojnë nga ato që parashikon plani i Ahtisarit për këtë zonë.

“Strategjia e vetme është që në dialog të diskutohet një zgjidhje politike për veriun e Mitrovicës. Por mendoj se edhe këtu nuk duhet t’i lejojmë vetes që çështja të diskutohet jashtë kornizave të planit të Ahtisarit”, ka nënvizuar Pack.

Eurodeputetja ka vijuar më tej duke e vënë theksin tek nevoja për një angazhim më të madh të shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, për të siguruar një qëndrim unik të Unionit në lidhje me dialogun.

“Zonja Ashton duhet të punojë më shumë mbi faktin që ekzistojnë ende pesë shtete në Bashkimin Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka shtuar Pack.

Top Channel