Mourinho: Urrej jetën time sociale

01/10/2012 21:00

Trajneri i Realit të Madridit, Jose Mourinho, pranoi me sinqeritet se e “urren jetën e tij sociale”.

Në një intervistë për “CNN”, e transmetuar pjesërisht ditën e hënë, ai që është një prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e futbollit, u shpreh: “Urrej të jem një baba normal që shkon të shohë ndeshjen e futbollit të të birit përkrah 20 baballarëve të tjerë, teksa shoh se si persona të ndryshëm pas porte shajnë djalin tim 12-vjeçar kur humbet një rast”.

Përsa i përket profesionit të tij, atij të trajnerit, portugezi shtoi: “Njerëzit njohin trajnerët, veçanërisht gjatë 90 minutave. Por, gjatë kësaj kohe, nuk kam përse t’ia kaloj mirë. Kjo është një rrjedhojë, por qëllimi i vërtetë i punës sime është të fitoj, jo të argëtohem. Jetoj çdo ndeshje sikur të ishte e fundit në jetën time. Kështu i shoh edhe konferencat për shtyp. Përpara apo pas tyre, është gjithmonë një ndeshje për t’u luajtur, ndaj ato janë pjesë e kësaj filozofie”.

Në intervistë, Mourinho premtoi gjithashtu se do të vazhdojë të drejtojë skuadra edhe për shumë vjet, ndërsa shpjegoi edhe simpatinë e tij të thellë për Sër Aleks Ferguson.

“Do të më pëlqenrte të kaloj më shumë kohë me familjen, por nuk mundem. Dua të vazhdoj karrierën time deri 70-75 vjeç. Fergusonin e kam quajtur “shefi” pasi është me të vërtetë “shefi” i të gjithë trajnerëve dhe shpresoj që të vazhdojë të jetë ende në aktivitet kur të kthehem një ditë në futbollin anglez”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA