Cristiano Ronaldo ka hyrë më në fund në luftën për trofeun Pichichi, atë të golashënuesit më të mirë të kampionatit spanjoll.
Me tregolëshin e ditës së dielë ndaj Deportivo La Coruna, portugezi i Real Madrid numëron 6 gola të shënuar në 6 ndeshjet e para të kampionatit duke barazuar Messin e Barcelonës dhe një gol pas Falcao, sulmuesit të Atletico Madrid.
Tregolëshi e shndërron Ronaldon në golashënuesin e nëntë më të mirë në historinë e Real Madrid me 156 gola në 153 ndeshje.
Sezoni për sulmuesin portugez nuk nisi mirë me polemikën e “trishtimit”, por që pas atyre frazave ai ka shënuar 5 gola në 4 ndeshje me fanellën e madrilenëve.
I rikthyer në formën e mëparshme, Cristiano Ronaldo tashmë mendon për ndeshjen e madhe Barcelona-Real Madrid, e cila do të zhvillohet të dielën e 7 tetorit.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E njohim Barcelonën dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por do të jemi të përqendruar për të marrë fitoren në Camp Nou”, deklaroi Ronaldo pas ndeshjes.
Top Channel