Moto GP, Aragon, Pedrosa fiton garën

30/09/2012 19:25

Piloti spanjoll i Hondës, Daniel Pedroza ka arritur të fitojë Cmimin e Madh të Aragonit të zhvilluar në Spanjë, duke lënë prapa bashkombasin  tij të Yamhaas Horge Lorenco e njëkohësisht duke ngushtuar diferencën në 33 pikë me të në luftën për titullin kampion kur kanë mbetur edhe katër gara nga fundi.

Lorenco e filloi këtë garë nga pol-position-i dhe arriti të mbajë kryesimin në xhirot e para, por kur kishin mbetur edhe 17 xhiro nga fundi i garës ai u parakalua dhe për asnjë moment nuk tentoi më të rikuperojë.

Në këtë situatë ai preferoi të mbajë vendin e dytë dhe të mos rrezikojë më shumë kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm, duke menduar më shumë për titullin e tij të dytë kampion.

Pas tyre gjendet një treshe pilotësh të Yamahas, Andrea Doviciozo, Kal Krutshlou dhe Ben Spis, të cilët deri në momentin e fundit luftuan për vendin e tretë të podiumit të cilin e fitoi italiani Doviciozo.

Në fillim të garës Niki Heiden ishte protagonist i një aksidenti spektakolar dhe menjëherë u dërgua për në qendrën mjeksore në pistë. Ndërkohë Valentino Rosi u rendit në vendin e tetë.

Pas kësaj gare Lorenco është ende në krye të klasifikimit të përgjithshëm me 290 pikë i ndjekur nga Pedroza me 257 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA