Fushata e padrejtë ndaj një kryekomisari

29/09/2012 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – Disa herë gjatë këtyre tri ditëve të fundit në xhamin e
autoveturës sime më kishin vënë një thirrje për një tubim ku kërkohet
largimi i kryekomisarit që aktualisht drejton Komisariatin e Policisë në
“Kombinat”, në Tiranë.

Të them të drejtën në siglën e kësaj thirrjeje ishte bashkëngjitur edhe apeli disi i harruar i ambasadorit amerikan në Tiranë në formën e motos “Vepro tani”. Në pamje të parë mendova se kemi të bëjmë me një reagim organizate, e cila ia ka dalë të ndërtojë një netëork shoqatash për të vënë në lëvizje reagimin qytetar ndaj një drejtuesi lokal policie. Mirëpo menjëherë m’u kujtua se nominalizimi i qëllimit të organizatorëve të këtij tubimi tek një kryekomisar policie, nuk është thjesht reagim qytetarësh që për shkak të një ngjarjeje, denoncimi apo dhunimi, marrin vrullin e tyre civil për ta vënë para përgjegjësisë, duke i kërkuar demonstrativisht largimin nga detyra.

Rasti në fjalë nuk është i tillë. Në këtë marrëdhënie ka një histori e cila është më komplekse. Mes kryesuesit të kësaj lëvizjeje që njëherësh është edhe pronar i një universiteti privat, i cili tentoi dje të masivizonte një protestë kundër kryekomisarit ka një konflikt të bujshëm, i publikuar në media dhe i konsideruar tashmë objekt i organeve të drejtësisë. Në të përditshmet tona dhe në mediat audiovizive, pak muaj më parë u publikua lajmi për një përleshje të trupave të sigurisë së këtij universiteti, madje një pjesë e shtypit i cilësoi si bodyguard të presidentit të universitetit privat, nga e cila rezultoi se disa prej tyre u arrestuan. Arsyeja lidhej me denoncimin që studentë të universitetit privat kishin bërë për rrahje nga rojet e këtij institucioni jopublik. Më vonë nga sa jam i informuar, çështja shkoi sërish në prokurori dhe mes kryekomisarit dhe kreut të kësaj lëvizjeje ka nisur një proces hetimi dhe ka pasur madje edhe seanca gjykimi në gjykatë.

Pra, kemi të bëjmë me një konflikt interesi mes këtij aktivisti, i cili në fakt mund të konsiderohet edhe kreu i një force të re me profil të qartë politik, një sipërmarrësi privat që ushtron ndikim tek një komunitet studentor dhe mësimdhënësish. Pra një individi që zotëron tashmë infrastrukturë dhe kapacitete për ndikim informues, pse jo edhe njëanshmërisht, në opinionin publik.

Por marrëdhënia që ka krijuar me këtë kryekomisar policie, tashmë nuk është thjesht një raport me të drejtën e tij. E drejta e tij apo e kreut të policisë, tashmë gjykohet dhe vendoset në gjykatë. Qysh nga ky moment, zotëria nuk mund të abuzojë me kësi formash populiste të cilat mund t’i shfrytëzojnë të mirët dhe ligjtë. Në rastin në fjalë, një tubim të tillë antikryekomisar mund ta shfrytëzojnë gjithë grupet e vendosura para përgjegjësisë ligjore prej kryekomisarit dhe strukturave policore që ai drejton. Në tubimin antikryekomisar që administratori i lëvizjes në fjalë organizon duke qenë njëherësh pronar i universitetit apo edhe drejtues i një seti mediatik, duket se po keqpërdor misionarizmin për reagim qytetar. Mënyra të tilla deformojnë jo vetëm qëllimet reaguese të tubimeve civile, por nga ana tjetër, duket se po shfaqin fenomenin e rrezikshëm të manipulimit të turmës apo masave për qëllime private dhe personale. Në llojin e vet protesta në fjalë është ndër të rrallat. Po, po kaq flagrante është marrëdhënia personale që ka iniciuesi dhe organizatori i tyre me titullarin e policisë lokale në kryeqytet.

E ndoqa me vëmendje reagimin e mediave ndaj kësaj proteste dhe fushatës pothuajse njëjavore të ndërmarrë ndaj këtij oficeri dhe drejtuesi të policisë. Mendoj se ka qenë një qëndrim i matur dhe profesional. Dhe kjo falë kujdesit të reporterëve të kronikës, të cilët shumë mirë, me sa duket e njohin dhe kanë përcjellë begraundin e kësaj marrëdhënieje mes kryekomisarit dhe investitorit-aktivist.

Po a është ky një precedent i rrezikshëm? A rrezikohet përballja e profesionistëve me reagimet populiste, të cilat mund të kenë pas kuintave të tyre edhe motive dhe pasione private dhe personale individësh që disponojnë mundësi dhe zotërojnë infrastrukturë? Pa dyshim që ky është një precedent, i cili nëse fiton terren, nuk dëmton karrierën apo marrëdhënien e një specialisti apo titullari, kushdo qoftë ai, me profesionin. Në raste të tilla, rreziqet bëhen të shtuara. Shfrytëzuesit e parë të kësaj mënyre dhe të këtij përdorimi janë pa asnjë mëdyshje elementët kriminalë, ata që gjejnë rast të shprehin patologjinë dhe “hakmarrjen” përmes daljes në rrugë me masën e qytetarëve. Nuk është aspak e vështirë të mendosh se në lagjet si “Kombinati” në kryeqytet, të tillë ka me shumicë dhe se solidariteti i tyre në kësi tubimesh bëhet shumë herë më i shprehur. Nga ana tjetër, ky rast zbulon rrezikun e shndërrimit të kauzës së reagimit masiv qytetar në një hakmarrje personale apo grupi për shkak të interesit privat. Një lëvizje e tillë është e kompromentuar, pavarësisht se brenda saj, padashur mund të gjenden edhe emra apo qytetarë, të cilët e kanë ndërgjegje idealin e reagimit civil. Nga ana tjetër, kësi kazusesh mund të keqpërdoren edhe për motive të politikës së kuadrit në strukturat drejtuese të policisë lokale, në territorin administrativ të cilin mbulojnë ato, gjenden edhe biznese apo sipërmarrje të aktivistëve pronarë.

Përballë kësi rastesh do të ishte me vend të reagonin së pari edhe institucione dhe organizata që janë shumë më aktive në njohjen e çështjes apo të verifikimit të së vërtetës. Avokati i Popullit në kësi episodesh është institucioni që duhet të reagojë në kohë, pasi nuk është as e drejtë dhe as normale që një kryekomisar i Policisë së Shtetit i sulmuar me afishe, fletore ditore mediatike dhe veprimtari tubimesh nga një grup i caktuar që dirigjohet lehtësisht prej një sipërmarrësi, të bëhet objekt sulmesh të tilla të ndërmarra me goditje të përqendruar. Policia dhe sidomos statusi i saj i buruar prej misionit të shërbimit në emër të rendit dhe sigurisë, ka nevojë jo vetëm për mbrojtje për shkak të uniformës, por edhe përballë marrëdhëniesh të tilla. Një polic që vihet në shënjestër të një grupi që përfaqëson disa interesa sipërmarrëse, kuptohet që është shumë herë më i margjinalizuar, madje ai zakonisht është lehtësisht i mposhtshëm prej një sipërmarrësi me asete dhe financa. Aq më tepër që në rastin konkret, ky sipërmarrës ka edhe një “ushtri” nevojtarësh dhe bashkëpunëtorësh nën pagë. Fushata të tilla kanë përmbajtjen e një kryqëzate populiste pavarësisht nga logot, fletëpalosjet apo huazimet e motove ambasadoriale të hedhura në momente të tjera për motive dhe brendi më gjithëpërfshirëse. Kjo është një fushatë e padrejtë, se buron nga një konflikt i pastër interesi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA