Proçesi i privatizimit në Kosovë deri më tani ka lënë pa punë mbi 76 mijë punonjës. Këto shifra shqetësuese u bënë publike nga lëvizja Vetëvendosje.
Aktivistë të lëvizjes në sheshin e kryeqytetit në mënyrë simbolike shënuan 76 mijë vija për të lënë gjurmë për pasojat që ka sjellë privatizimi në Kosovë.
“Humbja e këtyre vendeve të punës ka rrezikuar mirëqenien e rreth 12.667 familjeve në Kosovë. Privatizimi ka rezultuar në shkatërrimin e vendeve të punës, që i ka ulur të ardhurat për familje dhe si pasojë ka rrezikuar shkollimin e fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor në këto familje. Për më tepër, privatizimi ka shkatërruar industrinë duke ia ndërruar destinimin shumicës së ndërmarrjeve prodhuese duke i shndërruar nga ndërmarrje prodhuese në hotele për ahengje, nga toka bujqësore në ndërtime betoni”, deklaroi Dardan Molliqaj, sekretari organizativ i Vetëvendosjes.
Aktivistët e VV-së thonë se, ky model i privatizimit ka rrezikuar edhe potencialin për zhvillim ekonomik, duke e kthyer Kosovën në një vend që vetëm konsumon.
Ndërkohë që, procesi i privatizimit është faktori kryesor që Kosova renditet e para në Evropë për nga varfëria dhe papunësia.
Sipas VV-së privatizimi i PTK-së, KEK-ut dhe Trepçë duhet parandaluar në mënyrë të evitohet një katastrofë ekonomike, në mënyrë që në të ardhëmn brezit të ri mos t’i trashëgojmë veç varfërinë.
Top Channel