
Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku ka kërkuar që kryeministri i vendit të monitorohet për gjuhën që përdor gjatë vizitave të tij nëpër shkollat publike të vendit.
Sipas Shamkut, zoti Berisha po i bën presion nxënësve dhe prindërve të tyre që të votojnë për Partinë Demokratike.
“Ka ditë që Saliu rend shkollë më shkollë dhe shan e pështyn në sy të fëmijëve, duke u kërkuar atyre që të bindin prindërit të votojnë Berishën sepse pala tjetër s’e meriton”, ka deklaruar Shamku.
Zonja Shamku kërkoi edhe vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare, diplomatike dhe atyre që merren me të drejtat e fëmijëve lidhur me deklaratat politike të kryeministrit në shkolla.
“Ne do t’u drejtohemi ndërkombëtarëve pasi ky është një dhunim psikologjik i fëmijëve, që të ndërhyjnë pasi duket se kryeministri ka rrjedhur”, ka vijuar Shamku.
Deputetja Shamku ka shtuar se nuk është hera e parë që nxënësit e shkollave përfshihen në fushata elektorale të maxhorancës.
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë gjatë paradites së të premtes në inaugurimin e një shkolle 9-vjeçare në Baldushk, rast të cilin ai e shfrytëzoi për të vënë në dukje sjelljen e opozitës, që sipas tij synon bllokimin e integrimit europian të vendit.
Top Channel