Nishani, me Ban Ki Moon dhe Reeker

28/09/2012 18:10

Në ditën përmbyllëse të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes në sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit në një takim nga sekretari i përgjithshëm i organizatës, Ban Ki Moon.

Sekretari i përgjithshëm e përgëzoi presidentin Nishani për zgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe shprehu vlerësime për kontributin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë për angazhimin konkret të saj në proçesin e reformës së OKB-së.

Ban Ki Moon e përgëzoi kreun e shtetit edhe për organizimin e suksesshëm në Tiranë të konferencës mbi proçesin “Një OKB” dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit dinamik të Shqipërisë në këtë proçes.

Ndër të tjera, sekretari i përgjithshëm vlerësoi zhvillimet në Shqipëri duke e cilësuar vendin modern dhe me përparim të shpejtë. Ai e falenderoi presidentin shqiptar për rolin moderues që Shqipëria luan në rajon dhe e inkurajoi të vazhdojë në këtë drejtim.

Nga ana e tij, Nishani e uroi sekretarin e përgjithshëm për mandatin e dytë në detyrë dhe e siguroi për mbështetjen e pa rezerva të Shqipërisë.

Presidenti Nishani vlerësoi qëndrimin koherent të sekretarit të përgjithshëm mbi zhvillimet në rajon, paqen dhe sigurinë atje dhe në mënyrë të veçantë të gjitha aspektet që lidhen me Kosovën. Gjithashtu, ai e ftoi zotin Ban Ki Moon për një vizitë në Shqipëri.

Nishani: Të kthejmë besimin tek gjyqësori

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një intervistë të dhënë për VOA nga Nju Jorku, ka cilësuar si jetike ripërtëritjen e sistemit gjyqësor.

Nishani ka vlerësuar si të domosdoshëm kthimin e besimit të qytetarëve të gjyqësori dhe për të realizuar këtë prezantoi disa nga planet e tij.

“Duhet të kthejmë besimin tek gjyqtarët. Kjo ka të bëjë me zgjedhjen e gjyqtarëve të përgjegjshëm. Ky është hapi i parë i yni dhe do të japë një impakt direkt. Në menaxhimin e këtij sistemi unë kam kërkuar një standart unifikimi të praktikave gjyqësore, si atyre në aspektin penal dhe në atë civil. Me këtë ne do ta vëmë gjyqësorin në një rrugë për të kthyer këtë faqe, që sot përbën një shqetësim dhe sfidë për shoqërinë shqiptare”, ka thënë Nishani.

I pyetur lidhur me rastin e vrasjes së kryekomisar Tahirajt në Shijak, vrasësi i të cilit ishte liruar nga gjykata, kreu i shtetit ka dhënë këndvështrimin e tij.

“Kjo ka të bëjë mënyra e orientimit të vëmendjes dhe prioriteteve të inspektimeve që kryen KLD. Ne duhet të kemi një proçedurë që të kapë të gjitha shkeljet por edhe për të penguar abuzimet. Jemi të orientuar të ecim paralelisht drejt këtyre drejtimeve. Po komunikojmë ngushtë edhe me prokurorinë, pasi koordinimi mes institucioneve do të jetë tepër i rëndësishëm”, është shprehur Nishani.

Një tjetër pikë e rëndësishme e prekur nga kreu i shtetit ka qenë besimi që vetë presidenti duhet të fitojë tek opinioni publik, duke u larguar nga retorikat politike.

“Bindja fillon nga sjellja konstitucionale. Të gjithë duhet të organizojmë sjelljen e institucioneve të bazuar tek Kushtetuta. Presidenti nuk duhet të devijojë tek çështjet politike. Nëse ai do mbështetet në atë që përcakton Kushtetuta, atëherë qytetarët do të bëjnë të mundur që të kthehet besimi”, ka vijuar Nishani. 

Reeker: Të ruhet pavarësia e institucioneve

Presidenti Nishani zhvilloi edhe një takim me Zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, z. Philipp Reeker. Presidenti Nishani shprehu keqardhjen për sulmin ndaj selisë diplomatike amerikane në Libi, ku mbetën të vrarë Ambasadori amerikan atje, Chris Stevens, së bashku me një funksionar dhe dy marinsa.

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që SHBA-të kanë dhënë për demokratizimin e vendit. Kryetari i Shtetit dhe zoti Reeker diskutuan mbi çështjet e zhvillimeve të brendshme në Shqipëri dhe në rajon.

Ai u fokusua tek reformat në sistemin e drejtësisë si një nga sfidat kryesore, me të cilat përballet shoqëria dhe institucionet shqiptare, duke e informuar zyrtarin amerikan mbi platformën e  tij për kthimin e besimit të gjyqtarëve te sistemi i drejtësisë.

Duke u ndalur në këtë çështje, zyrtari i Departamentit të Shtetit theksoi rëndësinë e kontributit dhe angazhimit konkret të Presidentit të Republikës për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e shtetit ligjor.

Sa i përket zhvillimeve në rajon, Presidenti Nishani nënvizoi se Shqipëria i zhvillon marrëdhëniet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe mbi parimin e fqinjësisë së mirë duke vënë në dukje se nevijitet rikthimi në një kohë të shpejtë i dialogut mes palëve, çka do të krijonte një dinamikë të re për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit, Kryetari i Shtetit duke i vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si marrëdhënie të nivelit të lartë, inkurajoi rritjen në këto nivele edhe të marrëdhënieve ekonomike. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA