Enver Sekiraqa, njeriu më i kërkuar nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i, më në fund bie në pranga. Ditën e premte pas orës 15:00 Sekiraqa është vetëdorëzuar në policinë e misionit evropian.
Fillimisht lajmi është bërë i ditur për TCH nga një zyrtar i policisë së Kosovës, ndërkohë që pak më vonë zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi ka konfirmuar zyrtarisht se Sekiraqa është vetë dorëzuar në policinë e EULEX-it, ku më pas është arrestuar.
“Enver Sekiraqa është vetëdorëzuar tek policia evropiane e cila dhe e ka arrestuar. Pritet që ai të merret në pyetje nga një prokuror i Prokurorisë Speciale”, ka thënë Krasniqi.
Enver Sekiraqa akuzohet për vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, por edhe për vepra të tjera penale.
Më herët për vendodhjen e tij ka pasur njoftime se ai ishte në Republikën e Irlandës, ndërkohë që para disa ditësh dështoi një aksion i policisë për ta arrestuar atë në Prishtinë.
Gjatë ditës është raportuar se policia ka arrestuar po të premten Agron Eminin dhe Shpend Bobajn, dy persona nga klani i Enver Sekiraqës.
Këta dy të dyshuar ishin autorët e plagosjes që ndodhi ditë më parë afër kinemasë “ABC” në Prishtinë, ku mbeti i plagosur shtetasi Fisnik Vitija.
Top Channel