
Pozita dhe opozita në Kosovë kanë qëndrime të kundërta përsa i përket
dialogut me Serbinë, me palën e parë që shprehet e gatshme të bisedoje
dhe të dytën që kundërshton çdo bisedim për veriun apo për çështje të
tjera politike.
“Institucionet e Kosovës janë të gatshme për dialog me Serbinë për shumë çështje, por vetëm si dy shtete të pavarura”, ka thënë presidentja Atifete Jahjaga.
Në një intervistë për RTK-në, ajo ka theksuar se pavarësia e Kosovës është një çështje e përfunduar dhe nuk ka kthim prapa.
Por Vjosa Osmani nga radhët e LDK-së thotë se të gjitha çështjet politike me Serbinë kanë përfunduar në Vjenë, si rezultat i dialogut nga i cili ka dalë plani i Ahtisarit. Ajo thotë se nuk duhet lëvizur nga ky plan.
“Ne nuk e kuptojmë këtë vrull të qeverisë së Kosovës për të hyrë në një dialog nga i cili Kosova do të dalë e humbur. Në qoftë se largohemi qoftë edhe një milimetër nga pakoja e Ahtisarit, Kosova bëhet shtet jofunksional dhe do të bëhet një Bosnje e dytë”, thekson Osmani.
Ndërsa lëvizja Vetëvendosje, si kundërshtuese e vazhdueshme e çfarëdo dialogu me Serbinë, vlerëson se konsensusi i vetëm duhet të jetë ai për kushtëzimin e Serbisë.
Glauk Konjufca nga kjo lëvizje thotë se vetë Kuvendi i Kosovës ka vendosur kushtëzimet e veta dhe për rrjedhojë duhet t’u përmbahet me rigorozitet atyre.
“Qeveria po kërkon konsensus për t’iu bashkuar asaj në karvanin e turpit për të shkuar në negociata me Serbinë dhe për të bërë konçesione për Kosovën. Sepse e dimë që atje nuk do të flitet për Serbinë, por për veriun e Kosovës dhe për çfarëdo lloj vetëqeverisjeje apo autonomie të kësaj pjese të territorit të Kosovës”, vlerëson Konjufca.
Top Channel