“Imunitetet” si akti nazist i aftësimit

27/09/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Kur në prill 2008, PD dhe PS amenduan Kushtetutën,
shumë pak zëra e kritikuan atë “reformë” që në fakt, ka shkatërruar
balancat ndërpushtetore të domosdoshme për krijimin dhe mbajtjen në
këmbë të demokracisë liberale. Shumica e shqiptarëve nuk kuptoi asgjë se
ç’po ndodhte.

Deri këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur dhe injoranca është thuajse e përligjur. Sepse a mundet pasagjerët e një avioni të dinë se ç’defekt vdekjeprurës fshihet në motorët e tij? Çudia është se “inxhinierë” të kualifikuar për mënyrën si funksionojnë motorët e demokracisë, jo vetëm u pajtuan por e nxitën dhe përgëzuan si historike ato amendime që sot po kritikohen nga të gjitha anët. Megjithatë çudia vazhdon. PS dhe PD u bashkuan përsëri në një konsensus për kufizimin e imuniteteve që do ta quanim, puntata e dytë e dhunimit të Kushtetutës pas asaj së parës shfaqur në prill 2008.

Dhe ndonëse këtë herë në opinionin vendas u shfaq mjaft skepticizëm, pati zëra të shumtë nga komuniteti i ndërkombëtarëve që përsëri e nxitën dhe lavdëruan këtë akt që pritet të “aftësojë” qeverinë “Berisha” në luftën kundër korrupsionit. Dhe habitesh se si këto mendje të kualifikuara që kanë mision t’i japin leksione Tiranës për punët e demokracisë, nuk arrijnë të shohin se akti i kufizimit të imuniteteve është, në thelb, i ngjashëm me “Aktin e Aftësimit” që Adolf Hitleri arriti të miratojë menjëherë pas ngjitjes në karrigen e kancelarit (kryeministrit) të Gjermanisë, akt që u bë justifikimi ligjor i diktaturës naziste. Një verbëri që, pavarësisht se nga e ka burimin, mund t’i kushtojë shumë demokracisë shqiptare.

***

Si të gjithë autokratët e ardhur në pushtet me votë dhe që duan t’i japin një dukje “të ligjshme” të aksioneve të tyre, Sali Berisha ka pasur gjithnjë probleme me Kushtetutën. Në vitin 1994 tentoi të miratonte me referendum një Kushtetutë që qartazi i krijonte epërsi pushtetesh në shtet.

Edhe kur u rikthye në pushtet në vitin 2005, nuk i shqitej xanxa që ta modifikonte Kushtetutën në favor të pushtetit të tij sa më absolut. Rrjedhojë e këtij gjakimi ishte edhe ndryshimi i Kushtetutës në vitin 2008, pavarësisht se mundi ta kryejë në bashkëfajësinë e Edi Ramës. Të njëjtën xanxë ka pasur edhe Adolf Hitleri që kur u ngjit në krye të qeverisë, kishte përballë një sistem të tërë institucionesh dhe pushtetesh që e pengonin të bëhej zot i Gjermanisë. Por mbi të gjitha e pengonte Kushtetuta e Republikës së Vajmarit. Prandaj, menjëherë sulmi i nazistëve u drejtua kundër Kushtetutës. Nga që Hitleri kishte në Parlament shumë më pak se dy të tretat e vendeve të nevojshme për vendosjen e diktaturës në mënyrë “të ligjshme”, propozoi të miratohej famëkeqi “Akt i Aftësimit Ligjor” që i jepte qeverisë fuqi të nxirrte ligje pa miratimin e Parlamentit madje, edhe ligje që shmangeshin nga Kushtetuta. Ky ligj që duke nxjerrë jashtë lojë Parlamentin dhe hodhi bazat ligjore të diktaturës naziste, u miratua në Parlament në sajë të bashkimit të votave të nazistëve me partinë katolike të qendrës. Një miratim që do kish qenë i pamundur, nëse në sallë do kishin prezencë të paprekur socialdemokratët dhe komunistët. Por edhe kësaj, Hitleri ia kish gjetur ilaçin. Partia Komuniste ishte eliminuar si forcë politike me anë të një dekreti që nazistët nxorën pas djegies së Rajhshtagut, një dekret që pezullonte shumë nga të drejtat dhe liritë e njeriut të njohura nga Kushtetuta e Vajmarit. Dekreti në fjalë ligjëronte, nën maskën e luftës kundër rrezikut komunist, kufizimin e lirisë së personit (habeas corpus), e lirisë së shprehjes, përfshi atë të shtypit, lirinë e organizimit dhe grumbullimit, privatësinë e postës, të komunikimeve telegrafike dhe telefonike. Lejohej edhe kontrolli i banesave dhe konfiskimet e pasurisë përtej kufijve ligjorë. Në sajë të këtij dekreti, shumë komunistë dhe jo pak socialdemokratë u arrestuan. Të mbeturit që u paraqitën në Parlament, edhe pse refuzuan të votonin në favor, ishin mjaft të pakësuar dhe tepër të intimiduar nga dhuna e trupave sulmuese (SA), për ta penguar miratimin e Aktit të Aftësimit. E vërteta e hidhur është se nën maskën e aftësimit të qeverisë për të lehtësuar gjoja fatkeqësinë e popullit, u aftësua Hitleri dhe nazistët për të vendosur diktaturën dhe për t’i shkaktuar popullit gjerman dhe botës një nga tragjeditë më të rënda në histori.

 

***

Edhe sot, Kryeministri Sali Berisha kërkoi dhe realizoi me presione të mëdha mbi opozitën, një ndryshim të Kushtetutës nën maskën e aftësimit të qeverisë për luftën kundër korrupsionit apo integrimit. Një gënjeshtër dhe mashtrim që e gëlltitën me naivitet dhe verbëri jo pak ndërkombëtarë që, për një arsye a një tjetër, u bënë pjesë e presionit të ushtruar nga të katër anët mbi opozitën për ta detyruar të japë votat për heqjen e imuniteteve. Me të njëjtën verbëri që dikur Çambërleni u besoi premtimeve të Hitlerit për paqe, ata besuan se “Hitleri i Shqipërisë” ka vërtet shqetësim të bëhet më i aftë për luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që në fakt, ai e ka mendjen si të shantazhojë dhe tkurrë opozitën. Besuan se qenkan imunitetet e deputetëve të opozitës që e paskan paaftësuar Berishën dhe qeverinë e tij për luftën kundër korrupsionit dhe jo vetë korrupsioni tashmë galopant i kësaj qeverie! Por, mbi të gjitha, nuk patën maturinë që ndërsa lobonin për heqjen e imuniteteve, të këmbëngulnin për krijimin e një mekanizmi kushtetues që do të çonte në zgjedhjen dhe emërimin e një kryeprokurori dhe të gjykatësve të pavarur. Neglizhuan në mënyrë krejt të papërgjegjshme edhe paralajmërimet e dhëna edhe nga Komisioni i Venecias, se institucioni i prokurorisë në Shqipëri është bërë më pak i pavarur me ndryshimet e Kushtetutës në 2008, dhe se pa prokurori dhe gjykata të pavarura, heqja e imuniteteve është e mbarsur me rrezikun e hetimeve selektive në radhët e opozitës.

 

***

Në fakt, në projektin e tij për kufizimin e imuniteteve, Berisha kish përfshirë edhe kontrollin e banesave madje, deri arrestimin e deputetëve pa marrë paraprakisht miratimin e Kuvendit. Gjë që e bënte aktin heqjes së imuniteteve edhe më të ngjashëm me Aktin nazist të Aftësimit. Por fatmirësisht, ato nuk u miratuan. Megjithatë përmasat e të keqes që ka ndodhur, mbeten të mëdha. Dhe ato mund të minimizohen përkohësisht, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme, vetëm nëse mandati i Kryeprokurores Ina Rama vazhdon deri në maj të vitit 2013. Ndërsa shihet se Berisha ka qëllim ta largojë kryeprokuroren në nëntor (sinjal i qartë se gjakon të organizojë shantazh e deri edhe hetime selektive mbi opozitën para zgjedhjeve) është detyrë e ndërkombëtarëve të përpiqen për të kundërtën. Jo thjesht se kështu i volit opozitës, por sepse kështu mbrohet sistemi dhe fryma e tij dhe e ligjit. Ligjet nuk kanë fuqi prapavepruese dhe i tillë është edhe ai që trajton mandatin e Kryeprokurores. Ai ligj ka hyrë në fuqi në maj 2008 e për rrjedhojë, Kryeprokurorja plotëson mandatin 5-vjeçar në 2013. Ambasadori i OSBE, Wolfarth, e ka pranuar publikisht një logjikë të tillë. Do të shohim se sa do ta adoptojnë këtë logjikë edhe të tjerë ndërkombëtarë. Dhe nëse po, a do të jenë aq këmbëngulës sa ç’u treguan për kufizimin e imuniteteve? Nëse jo, atëherë do jenë bashkëpërgjegjës në aftësimin e Berishës për të luftuar opozitën politike nën maskën e “antikorrupsionit”. Një aftësim, jo shumë larg atij nazist.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA